Integrimi, Yuri Kim: Mbështesim çdo përpjekje, edhe ‘Open Balkan’! Do përpiqemi të fshijmë çdo barrierë për të gjitha vendet e rajonit

0
14

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin çdo përpjekje të Shqipërisë që e çon atë drejt integrimit të plotë europian. Por SHBA-të janë bindura për të çuar përpara edhe nismën “Ballkani i Hapur” me përfshirjen e të gjitha vendeve të rajonit.

Për këtë, SHBA do të përpiqet që të fshijë çdo barrierë të nismës “Open Balkan” për të gjitha vendet e rajonit. Sigurinë e dha dje ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e cila u shpreh se SHBA mbështet të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të jenë të integruar në Europë dhe mes vetes. Ajo theksoi se paralelisht me këtë përpjekje do të mbështetet e edhe Ballkani i Hapur për kontributin në procesin e integrimit që ndiqet nga BE. “Pozicioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin e Hapur është shumë i qartë. Dhe nuk duhet të jetë as surprizë dhe as kontrovers për njerëzit.

Ne mbështesim të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të jenë të integruar në Europë dhe të integruar mes vete. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë përpjekjet, përfshirë dhe Ballkanin e Hapur, në mënyrë që të jenë konsekuente dhe të kontribuojnë për procesin e integrimit që ndiqet nga Bashkimi Europian dhe që janë të hapur për 6 vendet.

Do përpiqemi të fshijmë çdo barrierë që ka mbetur nga Ballkani i Hapur për të gjitha vendet e rajonit”, deklaroi Yuri Kim. Interesit të gazetarëve nëse “Ballkani i Hapur” është nën ndikimin e Rusisë, diplomatja amerikane iu përgjigj: “Besoj se i keni parë në të gjithë botën përpjekjet e Rusisë për të minuar demokracinë dhe të drejtën e shteteve për të jetuar brenda kufijve siç i kanë aktualisht. Kështu që është e rëndësishme për të gjithë ne të qëndrojmë të përqendruar të çështjet, të cilat kanë me të vërtetë vlerë”. Deklarata u bë gjatë pjesë marrjes në konferencën “Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri gjatë shekullit të 20- të” me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Diplomatja Kim u shpreh se askush nuk mund ta kishte parashikuar se Shqipëria do të bënte kaq shumë përparime që prej rënies së sistemit komunist.

Ambasadorja iu kujtoi pjesëmarrësve të konferencës se gjatë gjithë shekullit të kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë popullit shqiptar dhe, duke përmendur fjalimin historik të Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker, në vitin 1991, “ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”. “Ambasadorja Yuri Kim foli në Konferencën ‘Marrëdhëniet SHBA – Shqipëri gjatë shekullit të 20të”, në nder të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona.

Konferenca, e organizuar nga Instituti i Historisë dhe e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, mblodhi së bashku historianë dhe studiues nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria për të diskutuar ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet gjatë shekullit të kaluar.

Ambasadorja Kim vuri në dukje se do të ishte e vështirë për këdo që të kishte parashikuar se Shqipëria do të ishte këtu ku është sot – edhe 31 vjet më parë – si një anëtare me status të qëndrueshëm në NATO, ishkryetare e OSBE-së, pranë Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe me negociatat për t’u anëtarësuar në BE të nisura zyrtarisht.

Ambasadorja Kim u kujtoi pjesëmarrësve të konferencës se gjatë gjithë shekullit të kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë popullit shqiptar dhe, duke përmendur fjalimin historik të Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker në vitin 1991, “ne jemi me ju dhe ju jeni me ne!”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane. Sipas Yuri Kim, marrëdhënia mes Shqipërisë dhe SHBA-së ka përparuar shumë në këto 31 vite. Kryediplomatja e SHBA-ve Kim shprehu emocionet për pamjet e vitit 1991 ku me qindra shqiptarë pritën në shesh Sekretarin e Shtetit, James Baker. Kim përmendi arritjet Shqipërisë në Këshillin e OKB apo anëtarësimin në NATO. “Regjimi i Hoxhës mbylli vendin dhe u përpoq të helmojë miqësinë mes shqiptarëve dhe amerikaneve.

Në vitin 1991 pati një fillim të ri. Edhe pse kam parë me mijëra herë fotografi, ende më prekin shumë fotot e 300 mijë shqiptarëve. U mblodhën në sheshin ‘Skënderbej’ për të thënë se ne jemi me ju, për të dëgjuar sekretarin Baker se liria funksionon”, tha ajo. Ambasadorja tha gjithashtu se ka ende shumë për të bërë. “31 vite pas rënies së komunizmit ende mbetet shumë për t’u bërë. Kemi përparuar shumë në rrugën tonë. Në 1991 askush nuk e kishte parashikuar që Shqipëria të ishte e ulur ngjitur me fuqitë botërore në Këshillin e OKB së, të ishte pjesë e NATO-s, kjo sigurisht që kërkoi sakrificë shumë të madhe nga populli e qeveria. Ne jemi këtu të themi se ne jemi me ju e ju jeni me ne gjatë gjithë kohës Mendoni sa shumë kemi përparuar”, u shpreh ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim.

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.

Fillimisht, marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ishin vendosur më 28 korrik 1922. Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA fillojnë në vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan, Woodrow Uillson, i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij.

Zjarr Tv Ad