Intriga/ Si e mashtroi Rama Veliajn para flijimit

0
120

Mund të gjesh në politikën shqiptare disa akte të forta tradhtie, por janë të pakta rastet kur një lider aktron aq hapur publikisht për të mbajtur gjallë iluzionin e besnikërisë, vetëm që më pas ta flijojë aleatin e tij më të afërt; kjo është pikërisht historia e Edi Ramës me Erion Veliajn.

Para dhe pas arrestimit, Rama e vuri në gjumë Erion Veliajn duke e mbajtur për disa javë me ëndrrën se kishte pas vetes mbështetjen e kryeministrit dhe të Partisë Socialiste, përpara se t’i jepte goditjen finale me firmën për shkarkimin. Strategjia e Ramës, një përzierje reagimesh emocionale, premtimesh publike dhe kthesash të befta politike mund të lexohen nga sot, si një plan i mirëmenduar për ta paralizuar çdo reagim të Veliajt dhe për ta shmangur rrezikun e një “Arben Ahmetaj 2.0”.

Guri i fundit që i ka mbetur ish-kryebashkiakut të Tiranës është një ankimim në Gjykatën Kushtetuese kundër shkarkimit nga Këshilli Bashkiak, një hap që për herë të parë do ta poziciononte kundër vendimit politik të Partisë Socialiste dhe kundër vullnetit të Edi Ramës, i cili tashmë ka shpallur pasuesen e tij në zgjedhje, Ogerta Manastirliun. Por edhe pse ligjërisht në të drejtën e tij, Veliaj e humbi shansin për t’i dalë kundër partisë së tij kur ishte ende në kulmin e pushtetit, jo vetëm si kryebashkiak i rrethuar nga njerëz besnikë, por edhe si njeri i lirë nga prangat. Dhe kjo ndodhi sepse Rama, hap pas hapi arriti të krijojë një atmosferë ku Veliaj besonte se kishte mbrojtjen e tij.

Takimi i fundit para arrestimit

Foto më lart tregon një aktivitet të Janarit 2025. Kishte thuajse një vit që Nesti Angoni kishte dërguar në SPAK letrën anonime. Prej një viti, Rama e kishte shmangur kryebashkiakun e Tiranës i cili kishte nisur ecejaket në SPAK dhe ende habitej se nga buronte agresiviteti i prokurorëve të SPAK. Por papritur të dy shfaqen në një aktivitet të organizuar nga Fidel Ylli, kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar.

Veliaj dukej i kënaqur që pas shënjestrimit që po i bënin prokurorët, më në fund kishte në krah të tij Edi Ramën, të plotfuqishmin. Madje, disa ditë para arrestimit, ai bënte humor me hetimet e prokurorisë, teksa këshillonte organizatorët e takimit të bënin kujdes me faturat e blerjeve.

Madje, ky takim ishte i dyti,brenda të njëjtës ditë, kur ai shfaqej në krah të Ramës. Gjatë paradites, kishin qenë bashkë në një aktivitet të Korporatës së Investimeve, kur prezantohej projekti për stadiumin Selman Stërmasi. Foto më poshte:

Teatri “fuck you” në Instagram


Reagimi i parë i Ramës pas arrestimit të 10 shkurtit ishte emocional dhe i bujshëm. Në transmetimin live të rubrikës “Sy m’sy” në Instagram, i irrituar nga ndërprerjet teknike, ai përplasi tavolinën dhe shpërtheu me sharjen “fuck you”.

Pamja bëri xhiron e rrjeteve sociale dhe u lexua si një shenjë nervozizmi të madh. Ishte e qartë se Veliaj do ta lexonte si një provë se mentori i tij i vjetër ishte aq i acaruar, sa nuk përmbahej dot as live para qytetarëve. Pak më vonë, Rama e shndërroi atë shpërthim në mesazh politik: “Më vjen shumë mirë që ka mbetur në Instagram ai moment sepse është momenti që ndan kush është këtu me shpirt, kush është këtu me zemër, kush është këtu i gjithi njësoj si ata trajnerët tek vija e bardhë që nxisin skuadrën”.

Kryeministri po portretizonte veten si trajnerin e përkushtuar që i del për zot skuadrës, duke e qetësuar Veliajn se mbështetja e tij ishte e pakushtëzuar.

Premtimi i Ramës pas arrestimit: “Veliaj nuk shkarkohet”

Një ditë më pas, më 11 shkurt, Rama e bëri edhe më të qartë pozicionin e tij. Për BIRN ai deklaroi: “Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta”. Ai shtoi se “jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike”.

Për Veliajn, kjo ishte një garanci se partia dhe lideri i saj ishin në krah të tij, një ndjesi e kundërt me fatin e Ahmetajt, i cili ishte lënë i vetëm përballë SPAK.

Sulmi ndaj gjyqtarit Erion Bani

Më 12 shkurt, Rama kaloi nga mbrojtja e Veliajt në sulm frontal ndaj gjyqtarit Erjon Bani. Para grupit parlamentar ai tha: “Ky gjyqtar është eksponent i afërt me lidhje familjare dhe miqësore me PD, që iu la posaçërisht shorti për dosjen e Veliajt”.

Ai e akuzoi për selektim të qëllimshëm dhe për precedentë në dosjen “Toyota Yaris”: “Ky gjyqtar ka urdhëruar mospublikimin e vendimit, por vendimi ka përfunduar te ‘bufi i kënetës’, te Sali Berisha. Kjo është vepër penale. Altin Dumani të kërkojë gjurmët e vendimit dhe t’ia thotë publikut”. Dhe më tej: “Bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së në GJKKO që nuk e fshehin fare marrjen në dorë të çështjeve. Thonë hapur ‘ne do t’i shkrijmë’”.

Bushka dhe Sallaku, si zëra kundër SPAK

Në ditët pas arrestimit, Rama mobilizoi figura të tjera për të krijuar idenë e një solidariteti më të gjerë. Në grupin parlamentar ai i dha fjalën Klotilda Bushkës, e afërme e Ajola Xoxës: “Është e vërtetë, unë jo vetëm e njoh Ajola Xoxën, por kam bashkëpunuar me të edhe para se të bëhesha deputete. Erion Veliaj është miku im i fëmijërisë. Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku, por kurrë nuk kam interferuar në paligjshmëri”.

Ajo foli për “linçim publik” dhe “trysni të vazhdueshme”, duke e kthyer mbrojtjen personale në mbrojtje politike.

Pak ditë më pas, në grup u ftua edhe rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, pas masave të SPAK për tendera në këtë institucion. Sallaku tha: “Kam zgjedhur rrugën e ballafaqimit publik sepse nuk dua që mesazhet të keqkuptohen. Puna e nisur nga Universiteti me projektet ndërkombëtare nuk duhet të pengohet”.

Edhe ky mesazh u lexua si sinjal se PS ishte në krah të atyre që e konsideronin veten viktima të SPAK.

Heshtja për Veliajn dhe shkarkimi në Asamble

Por shumë shpejt pas arrestimit, Rama nisi të tërhiqej dhe për këtë e ndihmuan edhe rrethanat e reja në fushatën e zgjedhjeve të 11 Majit. Fillimisht i ndaloi deputetët dhe ministrat të bënin deklarata në mbrojtje të Veliajt. Në grupin e ëhatsApp të PS-së ai dërgoi një mesazh të prerë, pasi një prej deputetëve Etjen Xhafaj, foli për rastin e Erion Veliajt në media: “Nuk dua të dëgjoj më asnjë prononcim që cenon pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me rastin a me rastet konkrete… STOP! Mbështetja jonë për SPAK-un mbetet e palëkundur”.

Qëndrimi pas zgjedhjeve ishte akoma më domethënës. Rama zgjodhi heshtjen, ndërsa Veliaj nga qelia e Durrësit ankohej për keqtrajtime të posaçme dhe për izolim total nga ana e administrata e burgjeve.

Propozimet që ai i dërgonte Ramës për të kundërsulmuar SPAK nëpërmjet të vëllait mbetën pa përgjigje. Në ditët pas zgjedhjeve, ishte krejtësisht i braktisur. Dhe ndërsa SPAK shtonte akuzat, që arritën deri në 13 pika penale, Rama priti që pas një izolimi fizik, institucional dhe politik të presë së tij, ai të bënte lëvizjen finale.

Me koordinim të qartë me SPAK që çoi në gjykatë akuzën me 13 vepra penale, Rama mblodhi asamblenë e PS, ku konfirmoi ndarjen përfundimtare me Veliajn, teksa prezantoi kandidaten për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliun. Bashkë me flakjen e Veliajt, u kujtoi deputetëve të PS rikthimin në qëndrimin e mëparshëm, se drejtësia e re nuk preket, edhe kur vepron në shkelje të të drejtave të njeriut, sikur të kishte përballë disa kavie: “Nuk kemi asnjë të drejtë ta kthejmë llogoren e përbashkët në një rifuxho për të mbrojtur këdo, kushdo qoftë ai. Dhe po, përfshirë dhe rastet kur sipas nesh bëhet një padrejtësi”.

Mbrojtja e zjarrtë për kryebashkiakun kishte qenë thjesht dhe vetëm kalimtare.

Veliaj, shumë vonë për të sfiduar PS

Me urdhër të Edi Ramës, Këshilli Bashkiak procedoi shkarkimin dhe sot, me firmën e vetë kryeministrit, u vulos largimi i Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. E parë nga sot, skenari është më i qartë dhe bashkë me të del loja aktoriale: nga shpërthimi teatral “fuck you”, tek premtimi se nuk do ta shkarkonte kryebashkiakun, tek sulmet ndaj gjyqtarëve apo përdorimi i Bushkës e Sallakut si dëshmi solidariteti.

Ajo që në fillim u duk si mbrojtje e sinqertë ishte në fakt një strategji për ta mashtruar Veliajn, i cili deri në momentet e fundit ndoshta besoi vërtet se kishte pas vetes partinë dhe Edi Ramën, duke humbur kështu momentin për t’u rebeluar. Sot, i braktisur dhe i shkatërruar, ai është shembulli më i qartë se sa e gabuar është të besosh tek një politikan si Rama, që s’mund ta ruajë pushtetin veçse duke bërë ndonjë “kurban”, edhe nëse kjo nënkupton të flijojë figurat më të afërta./Nga Dorian Kodra, Lapsi.al

Zjarr Tv Ad