Takimi i ditës së sotme mes treshes Vuçiç-Rama-Zaev është komentuar edhe nga ish presidenti i vendit, Bujar Nishani. Sipas Nishanit, ky takim nuk zhgënjeu askënd nga pritshmëria.
Komenti i Nishanit:
“Takimi i rradhës Vuçiç-Rama-Zaev, nuk zhgënjeu askënd nga pritshmëria. Ai artikuloi dhe elaboroi atë për çka është ideuar, sponsorizuar e përdoret. Retorikën anti-Evropë, duke nxitur urrejtjen ndaj Bashkimit Evropian si “pengues” të proçesit integrues të Ballkanit.
Treshja e Novi Sad-it, artikuloi tezën se Bashkimi Evropian nuk e do zgjerimin me Ballkanin dhe se evropianën duan izolimin e popujve të Ballkanit, përsa kohë proçesi integrimit nuk përparon. Në fakt popujt e Ballkanit nuk janë “dele”, ashtu siç tenton ti trajtojë treshja jugosllaviste.
Populli në Shqipëri e di dhe e njeh mirë problemin madhor me korrupsionin që gëlon e ka kapur çdo cep të shtetit shqiptar. Hajnia e inceneratorëve është veçse maja e pirgut të malit të qelbur nga vjedhjet, korrupsioni dhe degradimi në këtë vend.
Populli serb e njeh mirë dhe është në sheshet e protestës kundër inkriminimit dhe rrjetit të krimit të organizuar që kontrollon shtetin në atë vend. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, i njohin mirë skandalet e korrupsionit që kanë shpërthyer nga qeverisja aktuale atje.
Pra këto modele korrupsioni në vendet përkatëse nuk janë produkte evropiane e as të shkaktuara nga qeveritë e vendeve të BE por qeveritë e Ramës, Vuçiç dhe Zaev”, ka shkruar Nishani në rrjete sociale.
Sipas Nishanit, Bashkimi Evropian ka një përgjegjësi morale e politike në këtë histori korrupsioni e antiligji në vendet kufi me të. Ish Presidenti shkruan më tej se BE duhet të distancohet prerë e qartë nga modelet e korrupsionit dhe antiligjit që qeverisin sot Shqipërinë, Serbinë e Maqedoninë e Veriut.




