Në prag ta takimit të Berlin, i parashikuar për t’u mbajtur më 29 prill, këshilli i ambasadorëve shqiptarë i është drejtuar përmes një letre, kancelares gjermane Angela Merkel, si edhe Presidentit francez Emanuel Macron.
“Ky samit është një rast fatlum veçanërisht për përfaqësuesit e lartë të Serbisë dhe të Kosovës, dy vende shumë të rëndësishme të rajonit tonë, të cilat gjenden prej afro një dekade të përfshira në një proçes shumë të vështirë negociatash për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre. Serbia dhe Kosova janë dy shtete sovrane, të cilat kanë të përbashkët një të kaluar të afërt të mbushur me urrejtje dhe luftë të përgjakshme ndëretnike. Por këto dy vende kanë sot të përbashkët edhe aspiratën për integrim europian.” thuhet në letër, në të cilën ndër të tjera, Këshilli i Ambasadorëve përshkruan situatën politike ku ndodhet vendi.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreson se ju Shkëlqesi, dhe qeveritë që ju udhëhiqni, do të jeni në mbështetje të ëndrrës europiane të shqiptarëve. Kjo ëndërr e shenjtë frymëzoi shqiptarët për t’u ngritur kundër sistemit më represiv të kohës.
“Shqipëria po kalon një tranzicion të stërzgjatur dhe shoqëria shqiptare vazhdon të përballet me një sistem endemik korrupsioni. Krimi i organizuar, sidomos ai që vepron në fushën e trafikimit të drogës, vazhdon të ketë lidhje me politikën.
Prej më shumë se një viti vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është praktikisht jashtë funksioni, duke e futur krejt drejtësinë në kolaps.
Prej dy muajsh opozita parlamentare ka braktisur përfundimisht parlamentin, duke dalë në rrugë e kërkuar një qeveri tranzicioni, e vetmja mënyrë, sipas saj, që do të siguronte zgjedhje të lira e të ndershme, të pacënuara nga lidhjet e krimit me politikën.
Vendi po kalon një krizë përfaqësimi dhe riciklim të krizës politike pa precedent qysh nga rënia e diktaturës. Kjo krizë ka lëkundur shpresën e shoqërisë shqiptare dhe sipas statistikave gjatë pesë vitëve të fundit janë larguar nga vendi në rrugë legale dhe ilegale afro një e pesta e shqiptarëve.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se forcat politike shqiptare, edhe falë mbështetjes suaj, do të gjejnë sa më shpejt gjuhën e përbashkët të dialogut për kapërcimin e krizës duke qene të bindur se ëndrra europiane nuk realizohet duke u larguar nga Shqipëria, por duke ndërtuar në Shqipëri vlerat europiane.”- citohet në letrën e Këshillit të Ambasadorëve




