Nisma e kryeministrit Edi Rama për Këshillimin Kombëtar me qytetarët për çështje me rëndësi për shoqërinë është bërë temë diskutimi në emisionin e sotëm “Pikat mbi i”, në News24. Për analistin Artur Zheji e gjithë kjo lëvizje e Ramës është një sarkazëm shumë e madhe, që ai po e paraqet si domosdoshmëri për të kuptuar vullnetin e popullit. Sipas tij, me këtë nismë Rama po by pass-on dhe nxjerr jashtë loje edhe vetë Partinë Socialiste, pasi kupola është ajo që vendos për gjithçka.
Nga ana e tij, analisti Fatos Lubonja e krahasoi këtë nismë të Ramës me nismat e Enver Hoxhës, ndërsa theksoi se fundi do të jetë katastrofik jo vetëm për kryeministrin, por edhe për Shqipërinë.
Pjesë nga diskutimet:
Zheji: Rama pati një mundësi edhe dje ta ilaburonte këtë ‘gjetjen’ e komunikimit të drejtpërdrejtë me popullin, pasi mesa duket lideri suprem dhe absolut ka nevojë për një dialog diferencial me popullin. Për mua është një sarkazëm shumë e madhe, edhe pse paraqitet si domosdoshmëri për të kuptuar vullnetin e popullit, i cili nuk u lexoka në fushatë apo në komunikimin që ai bën në rrjetet sociale. Dikur thuhej shpesh në Shqipëri se uji i lartë rrjedh i pastër e kthjellët dhe turbullohet poshtë. Rama ka gjetur mekanizmin për të mbajtur ujin e kthjellët lart të paturbulluar poshtë, duke vendosur veten dhe popullin si dy identitete që janë të mjaftueshme për këtë fazë të zhvillimit të mandatit të tij të tretë. Zarfet që do u jepen moshës së dytë e të tretë do jenë anonime, do ja fusin me ato sharjet, do i fusin në zarfe e do ja çojnë qendrës. Ndërkohë që brezat më të rinj do të aplikojnë direkt online, siç tha vetë kryeministri. Unë mendoj që kjo është një tentativë për të suprimuar dhe ca mbetje nga demokracia në Shqipëri, megjithatë është një gjetje.
Lubonja: Nuk është një gjë e re për Ramën kjo. Po të shohësh gjithë karrierën e tij politike, edhe kur ka punuar në institucionet publike, është karakterizuar nga ajo që quhet thjesht personalizimi i institucionit. Pra, institucioni jam unë. Nuk ndërton struktura, por vetëm instruktorë rreth vetes. Kjo është psikologjia e këtij, është një psikologji e trashëguar, ku pikë kulminante ka qenë Enver Hoxha. Kam pas një nga udhëheqësit në burg, që më thoshte se “detyra jonë e vetme është të perifrazojmë atë që thotë shoku Enver”. Kjo është edhe mendësia e këtij, që i do njerëzit rreth e rrotull.
Por, tani jemi në demokraci, se atëherë ishte parti-shtet. Kjo është një formë e Ramës për të by-passuar opozitën. Këtë e bën në një kohë kur ka bërë gjithçka për të shkatërruar e copëtuar opozitën, siç e thotë vetë, në dy kufoma, pasi ka kapur gjyqësorin, median. Një gjë që i duhet thënë Edi Ramës, sepse ai është autori i kësaj ngjarrje , dhe që duhet t’ia them sërish “Në Evropë janë regjistruar 266 shqiptarë të burgosur si trafikantë të burgosur. 100 herë më shumë se Brazili”. Ky njeri duhet të japë llogari për këtë kriminalizimit të shoqërisë shqiptare. Si prodhoka Shqipëria kriminelë më shumë se Brazili? Për këtë duhet të japë llogari ky. Ky njeri duhet të japë llogari para drejtësisë për këtë. Rezultati përfundimtar do të jetë katastrofë jo vetëm për atë, por për Shqipërinë, siç ishte në 1991, kur ikën të gjithë shqiptarët.
Zheji: Kjo është tendenca për ta reklamuar si një interaktivitet të drejtpërdrejtë, por më kujtohet kohë më parë kur Hoxha shkruante libra jashtë propagandës së drejtpërdrejtë, shkruante kujtime dhe te kujtimet për Kinën tregon se si i kishte bërë shumë përshtypje Enver Hoxhës pasi Mao Ce Duni tregonte se si njerëzit shiteshin për një copë mish derri. Tani te Rama kemi një by-passim të vetë PS, pra nxirret jashtë loje vetë partia. Partia vetëm zbaton ato që vendos kupola, por kjo ndodh në luftë. Duke by-passuar edhe PS, Rama e vë veten në një shkallë shumë të lartë. Liderët në këto kushte humbasin lidhjen me realitetin. Ndoshta ka dhe hall të madh Rama, ku i dihet.




