Pak ditë para takimit të paralajmëruar të dyshes frankogjermane në Berlin Merkel-Makron me krerët e Ballkanit Perëndimor, komisioneri Johanes Hahn apelon për pranimin e një vendimi gati të shpallur të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Jam i bindur se në fund të majit, Komisioni i BE-së do të bëjë rekomandime pozitive për të dy vendet në bazë të kritereve të miratuara unanimisht nga Shtetet Anëtare. Pastaj do të jenë ato për të marrë një vendim, duke përfshirë vlerësimet aktuale politike, siç është zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë në rastin e Maqedonisë veriore” tha zoti Hahn.
Pasi ka vlerësuar performancën e politikës së fqinjësisë për Maqedoninë, komisioneri Hahn ka siguruar se do të ketë vlerësim pozitiv edhe për Shqipërinë.
“Shqipëria ka bërë gjithashtu përparim të mirë në kriteret e pajtuara me Shtetet Anëtare – reforma gjithëpërfshirëse gjyqësore është shembullore. Prandaj, pritjet legjitime të Shqipërisë duhet të vlerësohen nga shtetet e BE.
Megjithatë, për shembull, përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të luftuar krimin e organizuar – në fushat me interes të veçantë për shtetet anëtare – duhet të rriten” tha zoti Hahn.
Megjithëse Austria e Italia nuk janë ftuar në takim, Komisoneri austriak i BE-së, i është referuar vendimit të vitit të kaluar kur është pyetur për vendet kritike ndaj zgjerimit, si Franca etj.
“Perspektiva e pranimit për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u riafirmua njëzëri nga Shtetet Anëtare të BE-së në Samitin e Sofjes vetëm vitin e kaluar. Dhe kjo është në interesin e Bashkimit. Sepse nëse nuk e eksportojmë përgjithmonë stabilitetin në lagjen tonë të afërt, ne do të importojmë paqëndrueshmëri” tha komisioneri.
Sipas zotit Hahn qëndrimi i Këshillit Europian ndaj rekomandimit pozitiv të komisionit është përpara besueshmërisë së vetë BE-së. “Ka të bëjë me kredibilitetin e BE-së.
Vetë Shtetet Anëtare kanë vendosur qershorin si datë për vendimin për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Një shtyrje dhe mosnjohje të progresit objektiv do të kishte pasoja dramatike për vendet në fjalë dhe rajonin në tërësi. Kjo pothuajse do të shkaktonte një efekt domino negativ.
Çfarë motivimi do të kishin vendet e Ballkanit Perëndimor për të kryer reforma të ashpra ose për të zgjidhur konfliktet siç janë ato midis Kosovës dhe Serbisë nëse nuk ndërmarrin ndonjë hap në rrugën e tyre drejt BE-së?
Për ta thënë me pak fjalë: Vetëm një politikë e besueshme do të ketë sukses në promovimin e procesit të reformës në Ballkanin Perëndimor dhe ruajtjen e ndikimit tonë në rajon” tha zoti Hahn.
Për komisionerit e zgjerimit iniciativa e Parisit dhe Berlinit duhet të zgjidhë edhe bllokimin e dialogut Serbi – Kosovë, sipas një skeme të shpallur të mosprekjes së territoreve dhe qendrimit uninaim të BE-së ndaj arritjeve në Ballkanin perëndimor.



