Deputetja e PD-së Flutura Açka ka reaguar pas komunikimit të kryeministrit Edi Rama me demokratët e thirrur në bashkëbisedim pas protestës së djeshme. Açka shkruan se Rama ka kohë që nuk është më lajm dhe se kërkon të bëhet lajm me demokratët. Sipas saj, shqiptarët e dinë mirë faturën dhe emrin e tij.
Ajo shkruan se demokratët do t’i zgjidhin vetë hallet e tyre, pavarësisht hunjve, zjarrit, cianurit që u hedh Rama me mënyrat e tij tinëzare.
“Mjerim, ke kohë që nuk je më lajm dhe kërkon të bëhesh lajm me demokratët. Po i përgjigjesh pyetjeve të përgatitura nga zyra e Gebellsit tënd në emër të demokratëve
Shqetësimi i sotëm i shqiptarëve nuk është “dhëmbi i prishur” i demokratëve, por sarkoma e qeverisjes tënde. Faturën me emrin tënd dhe qeverisë tënde e dinë mirë shqiptarët.
Demokratët do t’i zgjidhin vetë hallet e tyre, pavarësisht hunjve, zjarrit, cianurit (figurativë) që u hedh ti me të gjitha mënyrën e tua tinëzare. Dhe sa për fjalime që po bën nga kali i shaluar, me fjalorin tënd vulgar permanent, dikush është mirë të ta thotë qartë:
Demokratëve nuk iu ha fare Edi për Edin, madje as shqiptarëve. Sepse, ti rri i krekosur në pushtet me vota të grabitura si në asnjë demokraci të vërtetë në botë. Meqë ra fjala, me patronazhistët kur do të bashkëbisedosh?”, shkruan Açka.




