Kosova ofron ndihmë: Jemi gati të ofrojmë aftësitë ushtarake kundër Rusisë

0
27

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj ka reaguar sot pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë, ndërsa theksoi se nëse kërkohet nga SHBA, si partner dhe aleat jetik, Kosova është e gatshme të ofrojë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme.

Mehaj në një postim në Facebook shkruan se me vëmendje po përcjellin situatën kritike të sigurisë në Evropë, ndërkaq shprehet se Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian.

Lexoni të plotë postimin:

Ministria e Mbrojtjes, me vëmendje maksimale jemi duke monitoruar situatën kritike të sigurisë në Evropë të shkaktuar nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe implikimet për sigurinë rajonale, kontinentale dhe globale.

Ministria e Mbrojtjes, me mekanizmat tanë, monitorojmë pandërprerë, të gjitha dukuritë dhe proceset rajonale e globale, si dhe synimet dhe aktivitetet e akterëve armiqësor që rrezikojnë sigurinë e vendit tonë nga jashtë.

Siç kemi paralajmëruar edhe më herët, Rusia e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë intensivisht me aktivitetet e luftës hibride, tashmë të njohura, në rajonin tonë, siç ishin edhe deklaratat dezinformuese, para pak ditëve nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë

Prandaj qytetarë të dashur,

Lajmet e rrejshme, trillimet dhe inskenimet e mundshme, janë element që zbatojnë strukturat ruse dhe ato të sponsorizuara nga ta, në vazhdimësi edhe në situatën aktuale. Republika e Kosovës, dhe qytetarët e saj në përgjithësi, përmes përfaqësueseve të saj kanë shprehur hapur dhe në mënyrë të vendosur mbështetjen për popullin e Ukrainës, si dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme.

Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë fuqishëm në vazhdimësi, orientimin e plotë dhe të natyrshëm euroatlantik, andaj edhe kërkojmë nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO.

Zjarr Tv Ad