Kryeministri Edi Rama e nis ditën këtë të enjte me një mesazh në Ditën e Dëshmorëve.
“Mirëmëngjes, përulësisht me respekt për ata që e deshën atdheun me jetë. Të paharrueshmit, Dëshmorët tanë”, shkruan Rama dhe ndan një foto nga Memoriali “Nëna Shqipëri”.
Sot, është Dita e Dëshmorëve të Atdheut që kanë dhënë jetën e tyre për liri. Ajo e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Më 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Në vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.




