Kryeministri shqiptar i do pyetjet me mjaltë, jo me spec – Nga Ilir Levonja

0
164

Ilir Levonja

Aty nga viti 2019, një grup gazetarësh nga Shtypi i lirë, (Free Press Journal) planifikuan një intervistë me Naredra Modi, kryeministrin e Indisë prej vitit 2014 e këtej. Puna ishte se zyra e shtypit e kryeministrit tentoi t’u imponohej në pyetjet që duheshin apo nuk duheshin bërë. Shkurt kishin hartuar një tërësi të tilla, nga të cilat asnjëra nuk përkonte me qëllimin e intervistës. E gjitha përfundoi në një deklaratë publike nga Shtypi i lirë ku midis të tjerave ata theksuan: ”Ne sigurisht që dëshirojmë të mësojmë se ku kryeministri i gjen energjitë që punon kaq shumë, por në të njëjtën kohë duam të dimë edhe atë se çfarë ai mendon për ato që ndodhin rreth tij”.  Si përfundim intervista nuk u realizua. Kjo u bë publike pak orë më vonë.

Në një artikull me titull të tillë, “Lista e pyetjeve që media duhet t’i bëjë kryeministrit të vendit në konferencën për shtyp”’, lista është e larmishme dhe e drejtpërdrejtë, kjo lidhur me problemet sa politike, sociale dhe ekonomike të vendit. Unë po sjell disa syresh: 1) Pse çmimi i karburantit është akoma i lartë, kur në tregun global ai është ulur? 2) Pse e sulmoni paraardhësin tuaj se po komploton me Pakistanin, pikërisht në kohën e fushatës elektorale? 3) Çfarë mendoni se duhet të bëhet kur një grua myslimane humbet bashkëshortin, ose ky bie në burg?   4) A është zyra e juaj e shtypit ajo, e cila vendos se çfarë pyetjesh duhet apo jo të bëjmë?

Si edhe e shikoni, janë pyetje krejt normale.

Mbaj mend se pak ditë mbas sulmit që Rusia bëri ndaj Ukrainës, një gazetare angleze me origjinë nga Ukraina i kërkonte llogari Boris Xhonsonit se pse Anglia rrinte aq indiferente, kur në vendin e saj të origjinës po kryeshin masakra kundër civilëve. Çfarë nuk tha, çfarë nuk shfryu gazetarja. Boris Xhonsoni e dëgjoi i pikuar, madje më këmbë. Ishin probleme jashtë territorit juridik të Anglisë, por e dëgjoi. Nuk e ofendoi aspak, nuk e çoi për riedukim. Në fund të fundit kjo është e drejta e fjalës. Kjo është demokracia, liria. Kjo është arsyeja pse mbahen konferenca për shtyp. Në një apo tjetër mënyrë është llogaridhënie karshi qytetarëve të tu. Sepse ke ardhur aty ku je me një kontratë katër vjet dhe aq. Godina, qeveria nuk është e jotja, është e qytetarëve.

Mirëpo kjo nuk ndodh aspak në vendin tim. Kryeministri shqiptar i do pyetjet me mjaltë, jo me spec. Nuk denjon të japë llogari për asgjë. Vetëm kërkon të imponohet. Madje si ai Kadiu i kohës së Perandorisë Otomane, të dënon publikisht me riedukim. Dhe a e dini për se ndodh kjo? Thjesht se nuk jemi shkëputur nga kultura e diktaturës së proletariatit. Po të ishim, gazetarët e asaj koference shtypi, duhet të ngriheshin e ta bojkotonin Edi Ramën. Dhe më keq akoma. Shqipëria gjoja ka Union të gazetarëve, por ata as reagojnë, as bëzajnë, ose dhe kur reagojnë, reagojnë as mish e as peshk.

A mundet kjo të ndreqet? Absolutisht që po. Por duket se shqiptarët nuk duan demokraci. Seç kanë një qejf me iu bind dhunës së Unit në pushtet. Megjithëse ai u zë frymën, u shkurton hapat, u zbraz xhepat, ata prapë i binden. Dhe në gjithë këtë historinë e riedukimit me gazetarin Klevi Muka, karshi një ministreje që ka shpikur burrin si investitor strategjik, turpi e faqja e zezë i takon për së pari Unionit të Gazetarëve gjoja të pavarur. Mbasandaj Spak’llëkut, apo kapsllëkut, drejtësisë tashmë të shkërdhyer shqiptare.

Zjarr Tv Ad