Nga Armir Shkurti
Qymyri po s’të dogji të nxin – thotë populli. Politika shqiptare është kështu. Madje edhe të djeg e të nxin njëkohësisht. Nga mbrëmë Edi Rama edhe dogji edhe nxiu gjykatën kushtetuese. Jo se kjo qe ndopak e bardhë më herët, por qe fshehur paq. Ndërsa mbrëmë….
Mbrëmë “kushtetuesit” u sollën si politikanë. Pragmatizmi i (mos)vendimit të tyre ia kalon ku e ku edhe Ponc Pilatit. E poqën mishin pa djegur hellin. Edhe vendimin e GJKKO e lanë në fuqi, edhe Edi Ramës ia hoqën barrën. Bukur fort për nga djallëzia dhe përfitimet, por katastrofë pa kthim për dinjitetin e institucionit! 4 me 4 në rezultat të GJK përkthehet NUL, zero. Ose në gjuhën e basteve sportive – X ( iks ) . Do të thotë 4 me 4 = 5 me 5 = 0 me 0! Përfundimi dje qe 0 me 0. Ose zero institucion. Rezultati i një dite të gjatë “ngujimi” të kadilerëve kunstituonjës doli në përfundimin se ne NUK JEMI. E meqë ne NUK JEMI vazhdoni si ta keni juve mendjen.
Personalisht do kisha pranuar edhe një vendim që s’do të më pëlqente, por që nga pikëpamja ligjore të qe qepur me fije të arta të mendimit dhe ekspertizës më të ndritur të majës së drejtësisë shqiptare! Do ta pranoja shumë më butë një gabim të një institucioni dinjitoz sesa një zgjidhje hileqare pragmatiste të një zyre langaraqësh, zara të pushtetit.
Pra mos u gëzo o i gëzuar! Ndoshta ke fituar një gjyq me dikë që e urren publiku mbarë por ke humbur një gjymtyrë tjetër të shtetit.
Edhe një shpjegim i fundit për imazhin e “4×4”-ës që nxjerr nga lluca kryeministrin:
Nuk është thjesht çështja se Ponc Pilatët ( Rama i pari! ) lanë duart dhe ia hodhën me lezet Ballukun drejtësisë. Puna është se, po të kishte dalë me vendim “4×4” -a se, SPAK ose GJKKO kanë të drejtë të marrin masa ligjore ndaj një anëtari të qeverisë në detyrë, kur t’i vijë rradha kryeministrit nuk ka pengesë që i mban apo vonon. Ndërsa kështu, Rama sërish ka të drejtën ti drejtohet kadilerëve kushtetonjës, të cilët nuk janë shprehur por janë fshehur! Janë fshehur te një 4 me katër, që , e theksoj: E BËRI NUL KËTË INSTITUCION




