E premte, Maj 8, 2026
Ballina Aktualitet Me dokumenta/ Fidel Ylli “fut hundët” edhe te sporti i pëllumbave! Kërkesë...

Me dokumenta/ Fidel Ylli “fut hundët” edhe te sporti i pëllumbave! Kërkesë doganës për bllokimin e 170 sportistëve shqiptarë në kufi

0
22

Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë po trondit komunitetin sportiv në Shqipëri. Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003”, e regjistruar ligjërisht si organizatë jofitimprurëse me 170 anëtarë dhe me aktivitet të njohur ndërkombëtarisht në sportin e pëllumbave garues, ka denoncuar publikisht bllokimin e saj në pikën doganore të Qafë Thanës, pas një shkrese të dërguar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.

Sipas dokumenteve dhe reagimit zyrtar të shoqatës, anëtarët e saj prej vitesh marrin pjesë në aktivitete sportive ndërkombëtare në vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia, duke kaluar në mënyrë të rregullt në pikat kufitare shqiptare dhe duke paraqitur çdo dokumentacion të kërkuar sipas ligjit dhe Kodit Doganor.

Por situata ka ndryshuar më 4 maj 2026 në pikën doganore “Qafë Thanë”, ku mjeti i shoqatës, një “IVECO FIAT” me targa AA 158 ZL, është ndaluar nga autoritetet doganore pa asnjë shpjegim zyrtar dhe pa asnjë akt administrativ të shkruar.

Shoqata deklaron se ka kërkuar zyrtarisht arsyet ligjore të ndalimit, por autoritetet nuk kanë paraqitur asnjë bazë ligjore dhe asnjë dokument që justifikon pengimin e sportistëve për të dalë jashtë territorit shqiptar.

Në kërkesën drejtuar doganës, shoqata ngre dy pyetje thelbësore:

  • A ka të drejtë mjeti i përdorur për transportin e shpendëve sportivë të kalojë pikat doganore shqiptare?
  • Cilat janë arsyet ligjore që u ndalua kalimi në Qafë Thanë më 04.05.2026?

Në qendër të këtij skandali ndodhet letra e Fidel Yllit, ku kërkohet që doganat të mos lejojnë kalimin e kësaj shoqate sportive. Fidel Ylli me Ramazan Gjylën dhe Gazmir Fehimin janë një grup interesi që po tenton të monopolizojë aktivitetin dhe të përdorë institucionet shtetërore kundër rivalëve.

Pyetja që trondit opinionin publik është e thjeshtë: me çfarë tagri një president komiteti olimpik kërkon ndalimin e qytetarëve shqiptarë në kufi? Dhe si mundet drejtori i doganës, Besmir Beja, të marrë përsipër bllokimin e sportistëve pa një vendim gjykate, pa një akt administrativ dhe pa asnjë bazë ligjore?

Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003” thekson se nuk kryen aktivitet tregtar, por aktivitet sportiv dhe kulturor, ndërsa pëllumbat transportohen me dokumentacion të rregullt dhe të vaksinuar sipas standardeve veterinare.

Pyetja që ngrihet është tronditëse: me çfarë të drejte një zyrtar sportiv i kërkon doganës të ndalojë qytetarë shqiptarë të dalin jashtë kufirit? Në cilin ligj mbështetet kjo kërkesë? Që kur një president komiteti olimpik merr kompetenca mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve?

Akoma më i rëndë bëhet skandali me përfshirjen e drejtorit të doganës, Besmir Beja. Si mundet një drejtues i institucionit doganor të marrë në konsideratë një shkresë të tillë dhe të pengojë sportistë që nuk kryejnë tregti, nuk transportojnë mallra të paligjshme dhe nuk janë nën hetim për asnjë vepër penale, por thjesht ushtrojnë një aktivitet sportiv dhe hobi të njohur ndërkombëtarisht?

Burime pranë sportistëve bëjnë me dije se anëtarët e “Pëllumbave të Postës 2003” janë të pajisur me dokumentacion të rregullt dhe pëllumbat e tyre janë të vaksinuar sipas standardeve përkatëse. Megjithatë, ata janë përballur me pengesa dhe tentativa për bllokim në kufi pas ndërhyrjeve zyrtare të ardhura nga strukturat sportive.

Në një vend normal, institucionet mbrojnë sportistët dhe promovojnë përfaqësimin ndërkombëtar të vendit. Në Shqipëri ndodh e kundërta: sportistët ndalohen në kufi, ndërsa institucionet përdoren si armë për pazare dhe interesa personale.

A kemi të bëjmë me shpërdorim detyre? A po përdoren doganat për hesapet e një grupi të vogël njerëzish? Dhe mbi të gjitha, a do të reagojnë institucionet për këtë precedent të rrezikshëm ku qytetarëve shqiptarë tentohet t’u kufizohet lëvizja e lirë me një letër zyrtare?

Zjarr Tv Ad