Me porosi të Ramës/ Begaj, lutje për punëtorë dhe studentë nga Bangladeshi

0
9

Presidenti Bajram Begaj ka hapur zyrtarisht derën për importin masiv të punëtorëve, studentëve dhe emigrantëve nga Bangladeshi në një takim me Këshilltarin Kryesor të Bangladeshit, Muhammad Yunus gjatë vizitës në Nju Jork, ku mori pjesë në Asamblenë e OKB. Begaj duket se ka zbatuar një porosi të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk e ka fshehur vizionin e hershëm për të zëvëndësuar shqiptarët e larguar nga vendi me punëtorë bangladeshas, që siç është shprehur Rama “nuk dinë shqip dhe nuk merren me thashetheme”.

Siç citohet nga mediat e huaja, Begaj është shprehur në takim se: “Ne kemi nevojë për punëtorë për vendin tonë, dhe disa kompani shqiptare kanë paraqitur tashmë aplikime për të punësuar nga Bangladeshi”.

Shqetësimit të Yunus se qytetarët e Bangladeshit duhet të udhëtojnë deri në New Delhi për të marrë një vizë në Shqipëri, Begaj iu përgjigj me propozimin për ta lehtësuar udhëtimin në vendin tonë përmes vizave dixhitale. Por Begaj nuk u mjaftua me kaq. Sipas mediave të huaja, ai është ofruar në takim edhe për të pritur studentë nga Bangladeshi.

“Presidenti Begaj njoftoi më tej se universitetet shqiptare janë të hapura për të regjistruar studentë nga Bangladeshi përmes programeve ekzistuese të arsimit ndërkombëtar, duke shënuar një mundësi tjetër për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve” raportojnë mediat e vendit me më shumë se 175 milionë banorë.

Aktualisht, Bangladeshi është ndër 6 vendet që dërgojnë më shumë emigrantë në botë, kryesisht për shkak të varfërisë që ekziston në këtë vend.

Shifrat e emigracionit dhe punësimi i të huajve në Shqipëri

Të dhënat tregojnë se aktualisht Shqipëria është një nga 10 vendet me tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë.

Banka Botërore raporton se në vitin 2024 popullsia u zvogëlua me -1.15%, ndërsa INSTAT shënon se më 1 janar 2025 vendi kishte 2 milion e 363 mijë e 314 banorë, një rënie prej 1,2% krahasuar me një vit më parë.

Censi i vitit 2023 tregoi se në një dekadë popullsia është pakësuar me 400 mijë banorë, duke mbajtur rekord negativ në Europë.

Në këtë boshllëk, bizneset kanë kërkuar gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj. Vetëm në sezonin turistik qershor–shtator 2024 u punësuan 6.906 shtetas të huaj në turizëm, që përbëjnë 55% të totalit të punonjësve të huaj.

Për gjithë vitin 2024, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive miratoi 12.654 Leje Unike, një rritje prej 29% krahasuar me 2023 dhe trefishim krahasuar me 2018. Megjithatë, pesha e tyre mbetet e ulët: punëtorët e huaj zënë vetëm 2,2% të totalit të të punësuarve në vend.

Vizioni i Ramës për “skllevër” nga Bangladeshi

Në mars 2021, gjatë një vizite në Shkodër, Edi Rama i tha një sipërmarrësi fasonerie se mund të merrte punëtorë të huaj me procedurë të thjeshtuar, por në momentin që nisi të fliste për dallimet me punëtorët shqiptarë, Rama zbuloi edhe interesin që kishte si politikan për zëvëndësimin e shqiptarëve me bangladeshas.

“I ke pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se i futet krimbi, jo politika, jo demokracia jo më the të thashë” u shpreh kryeministri në takimin që provokoi menjëherë polemika.

Deklarata zbuloi interesin e kryeministrit që Shqipëria të popullohet me punëtorët e huaj, të cilët shihen si njerëz të nënshtruar, pa gjuhë dhe pa të drejtë fjale. Ideja që punëtori duhet “të ndërrohet” sapo mëson shqip dhe fillon të interesohet për demokracinë, është një pasqyrë e një mentaliteti ku njeriu trajtohet si skllav dhe jo si qytetar i denjë i një shoqërie demokratike.

Deklaratat e Ramës dhe lutja e Begajt për autoritetet e Bangladeshit tregojnë se në vend që të përmirësojë ekonominë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë për të nxitur rikthimin e emigrantëve dhe të ndalojë largimin e të rinjve shqiptarë, qeveria po e sheh zgjidhjen tek importi i fuqisë punëtore që nuk ka asgjë për të kërkuar dhe asnjë fjalë për të thënë.

Në këtë kuptim, punëtori pa zë, që punon vetëm për të ngrënë e fjetur, nuk është vetëm ëndrra e fasonerive shqiptare, por edhe modeli më i mirë për një pushtet që i do njerëzit skllevër, të bindur, të heshtur, që nuk kërkojnë llogari dhe as nuk ngrihen për të drejtat e tyre.

Bangladeshasit dhe revolucioni studentor i vitit të kaluar

Gjithsesi realiteti bie ndesh me mënyrën sesi kryeministri Edi Rama i përshkroi bangladeshasit në Shkodër, si punëtorë “pronto, pa gjuhë, që nuk merren me thashetheme” dhe që duhen zëvendësuar “sa të fillojnë të mësojnë shqip, e të flasin për politikë e demokraci”.

Që nga gushti 2024, Bangladeshi po qeveriset nga një qeveri e përkohshme me kryetar Muhammad Yunus. Kjo qeveri tranzitore u formua pas një vale të fuqishme protestash që çuan në dorëheqjen dhe largimin e kryeministres shumëvjeçare, Sheikh Hasina, në fillim të gushtit 2024.

Protestat u udhëhoqën nga studentët, të cilët kundërshtuan rikthimin e sistemit të kuotave për punësimet shtetërore, që favorizonte klientelën e lidhur me partinë në pushtet. Ato shpejt u shndërruan në një lëvizje të gjerë shoqërore.

Kur qeveria e Hasinës reagoi me dhunë dhe masa represive, duke përdorur forcën për të shtypur protestat, dhjetëra deri qindra qytetarë humbën jetën, shumë të tjerë u plagosën dhe mijëra u arrestuan.

Në kulmin e revoltës, më 5 gusht 2024, protestuesit arritën të thyenin barrierat dhe të sulmonin objekte shtetërore kyçe, përfshirë edhe zyrat e kryeministrisë. Përballë presionit të rrugës, Hasina u detyrua të linte vendin dhe të largohej drejt Indisë.

Ky u konsiderua “revolucion studentor” i Bangladeshit, që tronditi një regjim autoritar të konsoliduar prej dekadash./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad