Mes inskenimit dhe rrëmbimit mafioz/ Daniel Shima, dëshmitari që u zhduk në Tiranë

0
56

Kthimi në shtëpi i Daniel Shimës dhe shpjegimi banal që dha se ishte larguar për shkak të një grindjeje me të dashurën nuk i ka zbehur dyshime se zhdukja e ish-numrit dy të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit mund të ketë ndodhur për arsye të tjera, që lidhen me të shkuarën e tij tek AKSHI dhe konfliktin me peshat e rënda që kontrollojnë tenderat e këtij institucioni.

Së pari, dyshimet se Shima gënjen i shton mesazhi i tij i fundit “Po më arrestojnë”. Nëse ai do të ishte grindur me të dashurën, siç thotë, nuk kishte pse t’i dërgonte asaj një alarm të tillë i ndërgjegjshëm se po e orientonte drejt policisë. Mesazhi “Po më arrestojnë” ngjan më shumë me një thirrje të fundit për ndihmë, një mënyrë për të aktivizuar lëvizjen e autoriteteve.

Ashtu siç ndodhi; në mesditë, e ëma e Danielit shkoi në polici dhe rreth orës 17:00 bëri denoncim për zhdukjen e të birit. Lajmi më pas u shpërnda menjeherë në media…

Së dyti, pikëpyetje e madhe është destinacioni i tij në 10 orët që u konsiderua i zhdukur. Kamerat e sigurisë e kanë regjistruar automjetin e Shimës teksa largohej nga Qyteti Studenti dhe kalonte tunelin e rrugës Tiranë–Elbasan dhe nga aty nuk ka më gjurmë të tjera. Ai u rikthye 10 orë më pas, por ende nuk ka provase ku qëndroi për 10 orë, megjithëse në media ishte shpërndarë tashmë lajmi për zhdukjen e tij.

E çuditshme është se në këto 10 orë, edhe pse lajmi për zhdukjen e tij kishte mbushur portalet dhe televizionet, nuk pati asnjë reagim nga Shima, duke ngritur dyshime të forta për variantin që tregon ai në polici.

Së treti, shpjegimi për një sherr banal me të dashurën dhe mesazhi që e dërgoi atë në polici bëhet akoma më i pabesueshëm nëse llogarit se për Daniel Shimën kishte folur ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili kishte thënë se “Danieli është kërcënuar nga Edi Rama”.

Duke pasur një vëmëndje të tillë mbi vete, pas presioneve të shumta për shkak të punës së tij, dërgimi i familjarëve në polici për një zhdukje të mundshme të tij, duket një akt jashtë logjikës, një shaka e rrezikshme që e tejkalon një sherr banal me të dashurën e radhës.

Për kreun e PD-së, Sali Berishën nuk ka dyshime se Shima është i rrëmbyer. Pikëpyetja që ka Berisha është një tjetër. “A përfundoi Shima në bodrumet e Suel Çelës apo në tunelet e Dajtit të Surrelit, këtë të vërtetë nuk mund ta themi me siguri. Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye” u shpreh ai në një konferencë për mediat.

Paralajmërimi i Ahmetajt: “Danieli u kërcënua nga drejtpërdrejt nga Edi Rama”

Por si ndodhi që Daniel Shima u gjend në konflikt me kryeministrin Edi Rama?

Emri i Daniel Shimës nuk do të kishte bërë bujë edhe për denoncimin e familjarëve të tij, sikur Arben Ahmetaj, ish-zv.kryeministri i larguar në Zvicër të mos e kishte përmendur në një nga intervistat e tij për kërcënimet direkte që kishte marrë Danieli nga kryeministri Edi Rama.

Më herët, Shima ishte shkarkuar si zv.drejtues nga AKSHI në mars 2024. Shima nuk konsiderohej një figurë publike dhe lëvizja e një zv.drejtori në administratë përgjithësisht nuk përbën lajm.

Por fakti që firma e shkarkimit të tij nga puna u hodh në 19 mars 2024 ditën që Mirlinda Karçanaj u mor në pyetje nga SPAK është një detaj që nuk mund të anashkalohet, pasi konfirmon përplasjen e brendshme mes tij dhe Karçanajt për një çështje korrupsionin nën hetim.

Pikërisht korrupsioni tek AKSHI dhe dëshmia e Shimës në SPAK janë arsyet e kërcënimit nga Rama, sipas Arben Ahmetajt.

“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha… Po, drejt për së drejti. Ta thashë edhe njëherë, le të dalë me batuta. Ky i kërkuari, ky derri në pyll, ky pa atdhe” deklaroi atëherë Ahmetaj.

Për akuzën se ka kërcënuar personalisht një punonjës të administratës, kryeministri Edi Rama nuk ka folur asnjëherë.

Por Ahmetaj e sqaroi se Danieli përveç postit drejtues tek AKSHI ishte edhe “ish-punonjës i ABS”, një emër me të cilën iu referua kompanisë “Advanced Business Solutions”. Kjo kompani i përket baxhanakut të Edi Ramës, Armand Fangu.

Milionat e AKSHI-që të çojnë te familja e Ramës

Në dëshminë që dha në janar të 2025, ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj shpjegoi se Edi Rama ka ndërhyrë personalisht, sepse nëse do të ndiqej paraja nga SPAK, rruga do t’i çonte hetuesit në Surrel.

Ish zv/kryeministri ka treguar tek “Çim Peka live” fakte dhe të dhëna për të paktën një projekt plot 15 milion euro, atë për laboratorët e AKSHI-t, të cilin e ka fituar kompania, që rezulton e baxhanakut të kryeministrit Rama. Për këtë aferë skandaloze, Ahemtaj tha se SPAK nuk pati këllqe të hetojë deri në fund dhe se në fund të vitit 2024 u grisën dy fletë- arreste, si pasojë e ndikimit të kryeministrit mbi organet e drejtësisë.

Për rastin në fjalë Ahmetaj evidentoi dy aspekte. Së pari që projekti 15 milion euro rezulton një vjedhje e frikshme dhe së dyti, se paratë e grabitura të çojnë te familja e Edi Ramës. Për faktin se projekti është një grabitje, Ahmetaj tha se mjafton të shihen regjistrat doganorë për të konstatuar se me çfarë çmimi janë futur në Shqipëri pajisjet e laboratorëve dhe se më pas janë faturuar dhjetë fish më shumë. “Gërmoni këto, shkoni në doganë, po qe se nuk gjeni 10-fishin e kostos si fitim atëherë kthehuni tek unë”, deklaroi Ahmetaj.

Ish numri i dy i qeverisë Rama, denoncoi gjithashtu se projekti 15 milion euro është bërë pa tender të hapur, madje nuk është botuar fare si thirrje për aplikim. “Gjejeni të botuar! E ka marrë kompania First dhe ‘folloë the money’”, tha Ahmetaj duke sjellë më pas të dhëna se kjo kompani është e lidhur me kryeministrin Edi Rama.

“AKSHI është kopshti privat i kryeministrit, ku njerëz të lidhur me familjen e tij, bëjnë çfarë ju do qejfi… Kam një ekstrakt tatimesh. Ju them gazetarëve investigativë, ‘folloë the money’, le të thotë Rama do ta gri maskarain, për mua, dhe le të thotë Altin Dumani e kam personale. Pyetje për gazetarët investigativë: Si është fshehur ish- kompania ABS tek kompania AIBS? Mund të bëni një kontroll se te SPAK-u s’kam besim. Kompania e baxhanakut”, deklaoi Ahmetaj, i cili bëri dhe një skanim të fitimeve dhjetra fish të kompanisë në fjalë.

“Shikoni sa interesante. Në vitin 2021, kjo kompania që thashë si është fshehur ABS në AIBS, ka pas të ardhura totale në 2021 afërsisht 2 milionë dollarë dhe shpenzime totale i ka 200 mijë dollarë. Në ç’vend të botës keni parë ju që të harxhosh 200 mijë dollarë dhe të fitosh 2 milionë? E kuptoni, 10 fishin e kostos? Pastaj në 2022 të ardhurat totale shkojnë tek 3.1 milionë dollarë, shpenzimet totale i ka vetëm 97 mijë dollarë, pra fitimi është 2.9 milionë dollarë. Ku keni parë që të shpenzosh 1 euro dhe të fitosh 10 euro. Po pse mo, Elon Musk janë këta? Korrupsion i hapur”, tha Ahmetaj në mbështetje të tezës së tij se AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës.

“Meqë skeptikët deshën fakte. Merrini, ndiqni këto. ‘folloë the money’ që t’u çojë tek familja”, ishte sfida e Ahmetajt.

Më herët, Ahmetaj kishte deklaruar se ekziston një përgjim ambjental që implikonte familjarë të kryeministrit dhe që gjendej në SPAK, ku dëshmohej qartë ndikimi mbi drejtuesit kukulla të Agjensisë.

“Ka 8 muaj që investigohet AKSHI. Është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK. Mund ta zhdukin po dikush e ka një kopje të kësajdhe më ka garantuar që një kopje e saj është në një kuti. Është bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit te AKSHI, 43 milionë euro me prestanome. I është përmendur emri për shumë gjëra. Që nga ajo ditë, ABS që është një prestanome e kryeministrit iu këput filli se u thirr në SPAK dhe deponoi. Unë e di se çfarë ka thënë. Tani është në kontroll të dikujt tjetër AKSHI. Danieli, një ish-punonjës është kërcënuar që të mbyllë gojën. Nga kryeministri vetë.” – tha Ahmetaj.

Ahmetaj nuk sqaroi nëse përgjimi ishte për baxhanakun e kryeministit Rama, Armand Fangun apo për bashkëshorten e tij Linda Ramën, por ai përfshiu në këto akuza edhe eminencën gri të kryeministrit, Ergys Agasi, për të cilin tha se komandon praktikisht gjithë aktivitetin e AKSHI-t.

Askush nuk mund të flasë me siguri sot për të vërtetën e Daniel Shimës, por zhdukja e tij për gati 10 orë dhe kthimi me një arsyetim tërësisht banal, lënë pas pikëpyetje të forta. Të pakëtn për një dëshmitar që ka guxuar të flasë në SPAK kundër korrupsionit të nivelit të lartë, por që tashmë e ka kuptuar sa e lehtë është të zhdukesh rrugëve të Tiranës, ashtu siç ka ndodhur edhe me të tjerë të ngjashëm të tij./ Lapsi.al

Zjarr Tv Ad