Kryetari i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Ilir Meta denoncoi sot zjarrvënien në një grumbull mbeturinash në zonën e Shijakut. Meta shkoi ditën e sotme pranë atij që e quan si landfill i paligjshëm dhe hodhi akuza ndaj Bashkisë së Shijakut se po djeg mbeturinat duke shkaktuar një masakër mjedisore që vë në rrezik jetët e qytetarëve.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryebashkiakut të Shijakut, Elton Arbana. Ai ngre dyshime se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, për t’i paraprirë aksionit opozitar të paralajmëruar nga opozita. Pas gjithë kësaj rrëmuje, policia e Shijakut është hedhur në veprim, duke arrestuar një të 47-vjeçar i cili digjte goma dhe mobilje të vjetra, për të nxjerrë prej tyre hekurin që të siguronte bukën e gojës.
“Në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua një karrocë dore, me të cilën transportonte materialet metalike që nxirrte nga djegia e këtyre sendeve”, njoftoi policia.
Reagimi i kryebashkiakut Arbana:
Ujrat e trazuar qëndrojnë në llumin ku burojnë.
Ashtu siç kishte paralajmëruar opozita, muaji shtator do të jetë muaji i sulmit dhe ja ku ndodhi një zjarrvënie e qëllimshme në kontenierët e mbetjeve urbane në njësinë administrative Gjepalaj.
Sapo morëm informacion dërguam grupin e zjarrfikëseve, sektorin e shërbimeve dhe të gjitha masat e duhura për të mbajtur në kontroll situatën dhe për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Pavarësisht çdo qëllimkeqi që na del përpara ne do të vazhdojmë punën tonë me këmbëngulje, vullnet dhe përkushtim për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve të cilëve i shërbejmë.
Opozitës i mbetet të paktën të mësojë nga gabimet e së shkuarës dhe se ku duhet ta drejtojnë pasionin dhe furinë e tyre politike, pa dëmtuar qytetarët.
Ku ka vullnet, ka zgjidhje!
Sapo me njoftuan qe qenka arrestuar nje person per zjarrvenie te qellimshme A.Meta (ironia fatit me te njejten mbiemer si ish presidenti).




