Presidenti Ilir Meta ka dhënë një deklaratë për mediat pas mbeldhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Ai tha se në mbledhje u fol për masat që do të ndërmarrë Shqipëria pas sulmeve ruse në Ukrainë, në raport me sigurinë në vendin tonë.
“Pas përshkallëzimit të situatës gjatë mëngjesit të sotëm, kur nisi agresioni ushtarak rus në Ukrainë, vendosa të thërras përsëri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të bërë një rivlerësim të situatës që prej mbledhjes së fundit të 14 shkurtit 2022 mbi këtë temë.
Ky përshkallëzim i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën.
Si President i Republikës dhe në emër të popullit shqiptar, shpreh dhembjen e thellë për jetët e humbura gjatë këtij sulmi, dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Në këto momente dramatike, shpreh gjithashtu solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës, dhe institucionet e saj demokratike ”, tha Meta.




