Presidenti Ilir Meta mori pjesë në takimin e 24-të ndërkombëtar të Berlinit, ku mbajti edhe një fjalë në Mëngjesin e Lutjeve me temë, “Kërkojeni paqen dhe mos iu ndani asaj”.
Në fjalën e tij Meta tha se shqiptarë presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen brenda muajit qershor.
“Duhet të ndaj me ju faktin se bashkatdhetarët dhe bashkatdhetarët e ma presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë”, u shpreh Meta.
Sipas tij, megjithëse një vend modest, Shqipëria nuk u shmanget përgjegjësive më të mëdha në lidhje me rendin paqësor global.
Në këtë linjë shtoi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në aleancat globale kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
Meta deklaroi se vitin e ardhshëm, Shqipëria do të jetë kryesuesja e radhës e OSBE-së dhe do të bëjë çdo përpjekje për të pasqyruar imazhin më të mirë të vlerave të kësaj organizate, si dhe për të zbatuar përparësitë e përbashkëta të një hapësire edhe më të sigurt e më të begatë të OSBE-së.
Ai tha se bashkëveprimi dhe bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara dhe BE-së ishin thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje tejkaluese ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut fqinje.
Kreu i shtetit deklaroi se shpreson dhe lutet që e njëjta vendosmëri dhe koordinim do të mundësojnë edhe një marrëveshje përfundimtare që pritet me padurim midis Kosovës dhe Serbisë.
“Vendet e rajonit të Ballkanit janë të ankoruara në mënyrë të vendosur në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Mbështetja e fortë popullore për këto procese nuk buron nga iluzioni i ndryshimeve të kufijve, por nga kërkimi për standarde më të arriramirëqeverisjeje, sundimin e ligjit, rritjen ekonomike dhe kohezionin social. Është përgjegjësia jonë si udhëheqës që të sigurojmë zbatimin e standardeve të tilla në vendet tona, duke mbetur të vërtetë dhe besnikë ndaj angazhimeve që kemi marrë përsipër përkundrejt popujve dhe partnerëve tanë”, deklaroi Presidenti.




