E enjte, Prill 23, 2026
Ballina Aktualitet Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare akademiku Rexhep Qosja

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare akademiku Rexhep Qosja

0
12

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, akademiku i njohur, Rexhep Qosja.

Ceremonia e varrimit u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Sakaq, familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftimin e publikuar nga nipi Valjet Rexhepi.

Kush ishte Rexhep Qosja

Rexhep Qosja (25 qershor 1936 – 23 prill 2026) ishte një nga figurat më të rëndësishme të mendimit intelektual shqiptar, i njohur si historian i letërsisë, kritik letrar, shkrimtar, publicist, akademik dhe veprimtar politik.

I lindur në Vuthaj, ai kreu shkollimin fillor në vendlindje dhe më pas u formua akademikisht në Prishtinë dhe Beograd, ku përfundoi studimet dhe doktoroi në fushën e letërsisë shqipe me një punim për poetin Asdreni.

Qosja ka pasur një karrierë të gjatë akademike dhe shkencore në Kosovë, duke punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në Universitetin e Prishtinës, ku ka mbajtur poste të rëndësishme si studiues, profesor dhe drejtues institucionesh shkencore. Ai ka qenë gjithashtu drejtor i Institutit Albanologjik dhe një nga figurat kryesore të albanologjisë moderne.

Në aspektin letrar, ai është autor i mbi 30 veprave që përfshijnë studime shkencore, kritikë letrare, romane, tregime dhe publicistikë. Veprat e tij trajtojnë historinë e letërsisë shqipe, kulturën dhe çështjet kombëtare shqiptare, duke e bërë atë një nga autorët më me ndikim në fushën e albanologjisë.

Zjarr Tv Ad