Prej ditësh në media është folur për ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit”. E për t’i dhënë fund lajmeve të pavërteta, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka treguar gjithë ndryshimet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Problematikat
Mosfunksionimi i Akademisë së Sigurisë ose Akademisë së Policisë, për një periudhë shumë të gjatë Në nivelin e drejtuesit të lartë janë mangët 46% e gradave, në nivelin drejtues janë mangët 30% e gradave, në nivelin kryekomisar janë mangët 36%, në nivelin komisar janë minus 38%, në nivelin nënkomisar janë minus 28%.
Shifrat, Shqipëria me policë më pak se vendet e rajonit
Shqipëria është një vend që ka shumë probleme, por dhe pak policë. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria ka vetëm 334 policë për 100 mijë banorë. Kroacia ka 489 policë për 100 mijë banorë, Serbia ka 596, Mali i Zi 645, Sllovakia 409 e të tjera me radhë.
Çfarë parashikojnë ndryshimet e propozuara?
Së pari, plotësim i boshllëqeve ekzistuese në nivelin bazë të piramidës së gradave të Policisë së Shtetit, pra në nivel “nënkomisar”. Së dyti, pasurim të nivelit të ekspertizës së Policisë së Shtetit me specialitete të munguara, të cilat Akademia e Sigurisë nuk i krijon, nuk i prodhon.
Së treti, specializimin e kategorive të policisë, pra të Policisë Kriminale, të Policisë së Rendit, të Policisë së Kufirit dhe të Emigracionit. Hapja e një mundësie për pranimin e disa specialiteteve të veçanta nga FA, nga ushtarakët në radhët e policë. Gjithnjë bëhet fjalë për specialitete të cilat Policia e Shtetit, me kapacitetet e saj nuk i krijon dot.
Ata që kanë mbaruar masterin direkt nënkomisar
“Për nevoja të Policisë së Shtetit, pranohen në Akademinë e Sigurisë shtetas që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni (që janë kriteret e përgjithshme për t’u pranuar në Policinë e Shtetit.)
Kandidati që përfundon me sukses kualifikimin përkatës pranohet në Policinë e Shtetit dhe i jepet grada policore ‘nënkomisar’.
Pasurim të ekspertizës së policisë me specialitete të munguara
Hapja e dyerve të Akademisë së Sigurisë për disa kategori të përzgjedhura të të diplomuarve në universitetet e vendit dhe të botës do të krijojë kushte për një cilësi të re të trupës së oficerëve të kësaj policie dhe do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme sidomos në fushat deficitare, si lufta kundër krimit ekonomik dhe financiar, lufta kundër krimit kibernetik, modernizimi i Policisë së Shtetit, etj. Pikërisht në këto fusha ku janë edhe problemet kryesore sot. Aktualisht në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave, krimit kibernetik, etj, niveli i ekspertizës lë shumë për të dëshiruar. Me miratimin e ndryshimeve të propozuara, situata në këta sektorë shumë të rëndësishëm të luftës kundër krimit do të njohë një nivel të ri profesionalizmi dhe një intensitet të ri.
Specializim të kategorive të Policisë Kriminale, të Rendit dhe Kufirit
Në projektin që ju propozova për shqyrtim është parashikuar një nen, i cili përcakton se Policia e Shtetit është unike, e centralizuar, e organizuar në nivel qendror dhe vendor, ajo organizohet mbi bazë shërbimi e profilizuar në Policinë Kriminale, në Policinë për Sigurinë Publike dhe Policinë për Kufirin dhe Migracionin. Kategoritë e profilizuara të Policisë së Shtetit dallojnë midis tyre nga arsimimi, kualifikimi, simbolet, detyrat dhe përgjegjësitë që ushtrojnë.
Ndërmjet Policisë Kriminale, asaj të Rendit apo Kufirit sot ka ndryshime shumë të vogla për sa i përket arsimimit, kualifikimit apo karrierës. Të gjitha kategoritë e punonjësve të policisë marrin sot të njëjtin arsimim dhe përgjatë jetës profesionale kanë mundësi shumë të reduktuara për të marrë kualifikim dhe specializim sipas natyrës së veçantë të shërbimit që ato kryejnë. Për shkak të profilit shumë të ngjashëm profesional, gjatë zhvillimit të karrierës punonjësit e policisë lëvizin rëndom nga njëra kategori në tjetrën. Një punonjës i rendit mund të kalojë në fushën kriminale, ai i kriminales tek kufiri, tek qarkullimi rrugor etj. Këto transferime kanë krijuar rrezikun e humbjes së qëndrueshmërisë, humbjes së ekspertizës, humbjes së specializimit dhe humbjes së kujtesës institucionale. Me ndryshimin e propozuar synohet që të tri kategoritë e Policisë së Shtetit të kthehen në institucione të mirëfillta, që do të thotë që përveç arsimimit të përgjithshëm, punonjësit e Policisë së Shtetit do të marrin edhe arsimim special sipas fushës, do të diplomohen sipas fushës dhe do të bëjnë karrierë brenda fushës. Kështu, një oficer i diplomuar në fushën e policisë kriminale do ta zhvillojë pjesën më të madhe të karrierës së tij, pas diplomimit si i tillë, brenda kësaj fushe dhe vetëm pas një arsimimi tjetër në një periudhë të vonshme të karrierës, arsimimi në fushën e menaxhimit policor, ai do të mund të shërbejë në funksionet e larta të drejtimit të cilat do të jenë të përgjithshme dhe jo të lidhura domosdoshmërisht me kategorinë apo fushën speciale policore.
Hapjen e një njësie për pranim nga radhët e ushtarakëve në Policinë e Shtetit
Është parashikuar një nen parashikon sa më poshtë: “Për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë ,të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2 (që janë kriteret e përgjithshme për pranim në Policinë e Shtetit). Për ushtarakët e shërbimit aktiv pranimi realizohet mbi bazën e një marrëveshjeje dypalëshe midis ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Brendshëm ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen ushtarakët. Në çdo rast pranimi bëhet me vullnetin e lirë të ushtarakëve pas nxjerrjes së tyre në lirim nga Forcat e Armatosura, pra pas shndërrimit të tyre në civilë. Sipas përcaktimeve përkatëse të ligjit, pranimet do të realizohen në bazë konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Brendshëm. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura në Policinë e Shtetit do të bëhet duke e njohur vjetërsinë e tyre të shërbimit në këtë forcë. Dhe një çështje tjetër ka të bëjë me faktin që krahas njohjes së vjetërsisë së shërbimit, do të njihet edhe grada, e cila do t’i ekuivalentohet me një gradë korresponduese policore me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra Këshilli i Ministrave do të bëjë një ekuivalentim. Pra nëse një nëntoger i ushtrisë do të vijë dhe të bëhet nënkomisar i Policisë, ky ekuivalentim do të bëhet përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave. Qëllimi i kësaj dispozite lidhet me nevojën e përhershme që Policia e Shtetit ka për specialitete të veçanta të cilat nuk mund të përgatiten as universitetet e vendit, dhe as nga Akademia e Policisë. Specialitete të tilla, të rralla, si ato të fushave kanë të bëjnë me lëndët plasëse dhe eksplozive, me lëndë kimike, me operacione speciale, etj., mund të ofrohen vetëm nga pjesëtarë të forcave të armatosura qofshin aktiv apo në rezervë, për arsye se vetëm forcat e armatosura i prodhojnë këto kategori profesionesh, të cilat ndërkohë Policia e Shtetit ka nevojë.




