Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka folur mbrëmjen e sotme për zgjedhjet lokale të 6 Marsit, ku është shprehur se kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë” kanë shanse shumë të mira për të fituar.
Ajo tha se kandidati i Dibrës është nga fisi i saj, por nuk e ka takuar asnjëherë. Gjithashtu ajo foli me superlative edhe për kandidatin e Lushnjes dhe të Durrësit, për të cilët tha se kanë mbështetjen e qytetarëve.
“Ne mbështesim kandidatët e Grupit të Rithemelimit të PD-së së vërtetë. Kemi komisionerë dhe numërues, kjo është arsyeja që zgjodhëm të ishim në koalicion. Kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë” kanë treguar një kulturë demokratike të jashtëzakonshme. Më ka bërë përshtypje që asnjë nga kandidatët e mazhorancës nuk pranon të dalë në debat. Si mund të zgjidhet një kandidat i bashkisë nëse nuk ka debat, nëse nuk dëgjon alternativat.
Në Dibër kemi shanset maksimale, është shumë përpara. Edhe pse është fisi im, nuk e kam takuar asnjëherë. Është nga kandidatët e vetëm që jeton në Dibër. Kandidati i Lushnjes Elton Bano, është një djalë i jashtëzakonshëm, e kam takuar vetë. Është elokuent dhe mjaft i zhndërvjellët politikisht, me energji pozitive. Kandidati i Durrësit ka një përkrahje të jashtëzakonshmë nga qytetarët vetë”, tha Kryemadhi në 5 Pyetje nga Babaramo.




