Nis hetimi pasuror për Presidenten Vjosa Osmani

0
0

Nëpër mediat kosovare po qarkullojnë lajme se autoritetet kanë nisur hetimin pasuror të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanin.

Sipas asaj që thuhet Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur një procedurë verifikimi lidhur me deklarimet e pasurisë së Osmanit, pas evidentimit të dallimeve mes formularëve të pasurisë për vitet 2024 dhe 2025.

Verifikimi ka të bëjë kryesisht me ndryshime të dukshme në rritjen e kursimeve dhe shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara. Dokumentet e dorëzuara për vitin 2025 tregojnë lëvizje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, çka ka shtyrë Agjencinë të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore.

Në deklarimet e mëparshme, Presidentja Osmani ka raportuar se, së bashku me bashkëshortin, posedojnë një banesë shtesë në Prishtinë, si dhe tokë dhe një shtëpi në Australi.

Në lidhje me këto raportime, Presidenca e Kosovës reagoi përmes zëdhënësit Bekim Kupina, i cili theksoi se Presidentja Osmani është e hapur ndaj çdo verifikimi institucional, por se aktualisht nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për nisjen e një hetimi.

“Presidentja Osmani mirëpret çdo verifikim nga institucione të pavarura, me paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në kuadër të fushatave për njollosje, për të cilat dihen arsyet pse po ndodhin,” ka deklaruar Kupina.

Po ashtu, Presidenca ka bërë të ditur se nuk disponon asnjë informacion zyrtar lidhur me pretendimet për nisjen e një hetimi pasuror ndaj Presidentes.

Zjarr Tv Ad