“Nuk e njoh Avokatin e Popullit”, Lapaj akuza Shabanit: Rezultat i një pazari të shëmtuar

0
0

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj, ka deklaruar se, partia që ai drejton nuk e njeh drejtuesin e institucionit të Avokatit të Popullit, Endri Shabani.

Nga protesta përballë Kryeministrisë, ai u shpreh se Shabani nuk ka legjitimitet moral dhe është sipas tij rezultat i një pazari të shëmtuar.

Ne nuk e njohim si institucion, drejtimin e institucionit, jo institucionin në vetvete, nuk e njohim drejtuesin e atij institucioni si të ligjshëm, sepse nuk plotëson kriteret e ligjit për Avokatin e Popullit, që nga vjetërsia në profesion, ushtrimi i profesionit, e me radhë, e me radhë, janë shumë pika. Nga ana tjetër nuk la legjitimitet moral, sepse është rezultat i një pazari të shëmtuar, që ka synuar dhe po synon tërë kohës, përmes regjisorit Edi Rama, të vrasë besimin e popullit, besimin e rinisë që këtu mund të ketë ndryshim”, tha Lapaj në një intervistë për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN.

Lapaj e konsideroi Endri Shabanin si modelin më të pistë dhe më të keq që mund t’i ofrohet rinisë. Sipas Lapajt një shoqëri s’e vret vetëm krimi i organizuar, por mungesa e moralit.

“Duke dhënë modelin që të gjithë shiten, të gjithë e bëjnë për një vend pune, të gjithë e bëjnë për një post, ai është modeli më i keq, më i pistë që mund t’i ofrohet rinisë. Një shoqëri s’e vret vetëm krimi i organizuar, por një shoqëri fillimisht e vret mungesa e moralit. Morali në politikë, morali në shoqëri, morali në administratë, morali në jetë, imponon pastaj një sjellje tjetër të shoqërisë. Vrasja e moralit në politik, vrasja e moralit në jetën publike, është po aq e rrezikshme sa krimi i organizuar”, tha Lapaj.

Kujtojmë që prej afro 3 muajsh Adriatik Lapaj dhe aktivistë të tjerë të “Shqipëria Bëhet” po protestojnë para Kryeministrisë.

Zjarr Tv Ad