Nga Greta Hoxha
Dje, është dekoruar kreu i Policisë së shtetit Ilir Proda nga gazetarë të Fierit. Kolegët e mi të nderuar, e di që ky dielli i fortë i’u ka bërë dëm por më lini t’ju bëj të reflektoni. Jemi në situatën ku në vendin tonë të vogël Shqipëri qytetarët protestojnë për bukën, të rinjtë ikin me gomone, dhe korrupsioni është bërë sistem jetese, spektakli i dhënies së medaljeve “për punë të shkëlqyer” forcave të rendit është më shumë se një farsë – është një fyerje publike.
Mediat, të cilat duhet të ishin syri dhe zëri i shoqërisë, janë shndërruar në dekorues të pushtetit. Gazetarë që dikur flisnin për të drejta, sot rreshtohen në krah të atyre që i shkelin. Mikrofonët nuk i drejtojnë më nga viktima, por nga zyrat e lustrura të policisë. Ata nuk pyesin më “çfarë po ndodh?”, por “sa të bukur dukeni në uniformë!”.
Këto skena nuk janë vetëm të padenja – janë të rrezikshme. Sepse ndërkohë që vendi përjeton krizë pas krize, shtresa më e ndjeshme e shoqërisë – media – zgjedh të heshtë ose të zbukurojë realitetin. Kur gazetarët mbyllin sytë, kush do të na tregojë të vërtetën?
Le ta themi troç: në një vend ku drejtësia është selektive, ku protestuesit goditen dhe korrupsioni mbulohet me fjalime, nuk ka vend për lavdërime boshe. Nuk ka vend për ceremoni që hedhin pluhur syve. Ka nevojë për guxim. Për gazetarë që nuk tremben të raportojnë nga terreni, jo nga zyra. Për ata që nuk i shërbejnë partive apo uniformave, por publikut.
Po, Shqipëria digjet. Dhe ndërkohë që flakët rriten, disa gazetarë i fryjnë tymit, jo për ta shuar zjarrin, por për të fshehur atë.
Është koha të zgjohemi. Të mos mjaftohemi me statuse zemërimi, por të kërkojmë llogari. Nga ata që kanë pushtet – dhe nga ata që kanë zë.




