Një person i cili ecte pa patentë dhe mbante me vete lëndë narkotike dhe thikë, është vënë në prangat e policisë së Sarandës.
Patrulla e përgjithshme e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë patrullimit në lagjen nr.1 Sarandë, ka konstatuar një automjet që bënte lëvizje të dyshimta dhe i ka dhënë shenjë për të ndaluar.
Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi. Kështu uniformat bli janë vënë në ndjekje duke bërë të mundur bllokimin e automjetit si dhe arrestimin në flagrancë të 32-vjeçarit A. Sh., 32 vjeç, banues në Sarandë.
Efektivët e policisë gjatë kontrollit personal dhe të automjetit kanë gjetur dhe sekuestruar disa doza lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa dhe një thikë me palosje, në cilësinë e armës së ftohtë.
Gjithashtu nga kontrolli i dokumentacionit të automjetit rezultoi se i riu drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”




