Në Afganistan ka nisur takimi më i madh i thirrur nga Presidentit i vendit me qëllim arritjen e një marrëveshjeje paqeje me talibanët. Presidenti Ghani dëshiron të krijojë një “qasje të përbashkët për paqen”, por talibanët i kanë refuzuar deri tani bisedimet me qeverinë dhe së pari kërkojnë tërheqjen e të gjitha forcave të huaja.
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, nisi të hënën takimin katër ditor me mbi 3,200 delegatë me synim arritjen e një marrëveshjeje paqeje me talibanët. Në këtë takim janë ftuar politikanë, udhëheqës të vjetër fisesh dhe figura tjera të rëndësishme të Afganistanit. Presidenti Ghani dëshiron të krijojë një “qasje të përbashkët për paqen” dhe u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të përcaktojnë “drejtimin” për procesin.
Deri tani, negociatorët talibanë kanë refuzuar bisedimet me qeverinë, duke e cilësuar atë si kukull të Perëndimit dhe insistojnë që para fillimit të bisedimeve me Kabulin, të tërhiqen forcat e huaja. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 14 mijë trupa në Afganistan në kuadër të misionit të NATO-s, përmes së cilit u ofrohet ndihmë trupave afgane dhe programe trajnimi, me qëllim luftimin e talibanëve dhe grupeve tjera ekstremiste, përfshirë grupin militant, Shteti Islamik dhe Al-Kaedën.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina thanë në një deklaratë të përbashkët se e mirëpresin tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani në mënyrë që t’i hapet rruga procesit të paqes të drejtuar nga “afganët e bashkuar”.




