Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë pasdite deputetët socialistë të Tiranës. Burime për mediat bëjnë me dije se kreu i qeverisë do të zhvillojë një takim informal me deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 11 majit.
Mësohet se takimi do të mbahet në godinën e Kryeministrisë, ku do të marrin pjesë edhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Vlen të theksohet se ky takim vjen një ditë pas miratimit të shkarkimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Një ditë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi me 51 vota për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit.
Këshilltarët socialistë dhe demokratë bashkuan votat për të shkarkuar nga detyra, kryetarin e arrestuar të Tiranës. Këshilli Bashkiak mblodhi 3 kërkesat për shkarkimin e Erion Veliajt, atë të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të këshilltarit Endri Shabani, duke i votuar si një e vetme. Ndërsa tashmë i pari i Tiranës është në “dorën” e Këshillit të Ministrave.
Mbledhja e Këshillit të Ministrave ku pritet të vuloset përfundimisht fati i Erion Veliajt mësohet se do të mbahet ditën e enjte, ndërkohë që qëndrimi i kryeministrit Rama është bërë me dije ditën e Asamblesë ku kërkoi shkarkimin e Veliajt dhe propozimin e Ogerta Manastirliut për Bashkinë e Tiranës.




