Në Bashkinë e Himarës procesi i numërimit të kutive të votimit ka përfunduar.
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, i cili e ndoqi nga afër procesin, deklaroi për RTSH se grupet e numërimit do të kalojnë më tej te votat për kandidatët për deputetë.
“Janë të lodhur edhe komisionerët e KZAZ-së, por edhe numëruesit, kështu që është rënë dakord me konsensus që të ketë disa orë pushim për të rifilluar me numërimin e fletëve të votimit për kandidatët,” u shpreh z. Tavo.
Për sa i përket rezultatit, kur janë numëruar 35 nga 35 qendra votimi gjithsej, në Himarë udhëheq Partia Socialiste me 50,45% të votave, ndjekur nga koalicioni PD–ASHM me 39,05% dhe koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet në vendin e tretë, me 5,49%.
“Rezultati është përtej pritshmërive. Për të qenë i sinqertë jemi më mirë sesa në zgjedhjet e 4 gushtit, si numër votash PS-PD në këtë bashki.
Ajo që vlen të theksohet në Himarë është që më në fund, për herë të parë, po bëhet një proces zgjedhor i qetë, pa asnjë problem, pa asnjë konflikt, pa u bërë siç ka qenë shpesh në faqet e para të gazetave apo si lajm i parë, si një bashki me probleme, sidomos gjatë proceseve zgjedhore,” tha kryebashkiaku Tavo.




