Pjesëmarrja skandaloze në votimet e 5 bashkive, më e ulëta në historinë e zgjedhjeve

0
0

Kjo e 9 nëntorit është pjesëmarrja më e ulët e regjistruar ndonjëherë në një proces zgjedhor në Shqipëri.

Nga 334.539 qytetarë me të drejtë vote në pesë bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore të kësaj të diele, vetëm 46.696 votuan, ose rreth 18.45 për qind e trupës elektorale.

Rekordin negativ e mbajti Vlora, me vetëm 12.54 për qind të pjesëmarrjes, e ndjekur nga Berati me 19.98 për qind, Cërriku me 25 për qind, Tepelena me 34.63 për qind dhe Mati, që ishte bashkia më aktive, me 39.36 për qind.

Në këto zgjedhje garuan 13 kandidatë për pesë bashki, ndërsa qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në 18:00, duke mbyllur një proces që, në shifra, tregoi një mungesë të thellë besimi për kandidatët.

Rënia e pjesëmarrjes duket se është shenjë e konsumimit të sistemit politik dhe e lodhjes së qytetarëve nga rituali i përsëritur i një gare pa garë.

Socialistët hynë në këto zgjedhje me një vetëbesim të plotë, të bindur se fitorja ishte e garantuar, dhe për këtë arsye u angazhuan minimalisht, pa fushatë reale dhe pa ndonjë përpjekje për të zgjuar interesin e elektoratit.

Opozita, nga ana tjetër, e shmangu bojkotin formal, por mbajti një qëndrim ambig, duke mbështetur kandidatë të pavarur, si një mënyrë për t’u përfaqësuar në fletën e votimit. Kjo strategji u pasua me një mungesë të theksuar motivimi, ndërkohë që në terren nuk u pa një fushatë reale.

Në njërën anë votuesit opozitarë nuk donin të mbështesnin një proces që e konsiderojnë farsë, por as nuk kishin një alternativë reale për t’u përfaqësuar.

Pjesëmarrja e ulët e votuesve duket se do të ndikojë direkt në legjitimitetin e kryetarëve të bashkive që do të qeverisin, do të firmosin buxhete dhe projekte, por askush nuk mund të thotë me bindje se përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.

Për pasojë, më shumë se për emrat fitues të bashkive, zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të kujtohen si dëshmi e një shoqërie që ka humbur besimin se vota ka fuqinë të bëjë ndryshimin./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad