Presidenti Begaj takon Mitsotakis: Dua të mbroj interesin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen

0
47

Presidenti i vendit Bajram Begaj priti sot në një takim Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili mori pjesë në Samitin e parë BE-Ballkani Perëndimor që zhvillohet jashtë hapësirës së Unionit.

Kryeministri Mitsotakis shoqërohej në këtë takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Niko Dendias.

Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe partneritetin strategjik midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia dhe populli grek i kanë dhënë shqiptarëve në momentet e vështira pas ndryshimeve demokratike, por edhe në kuadër të përballimit të fatkeqësive të ndryshme natyrore.

“Kosova është një realitet politik dhe njohja e pavarësisë së saj do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Dua të mbroj interesin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Begaj dhe Mitsotakis e vunë theksin edhe tek bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve dhe mundësitë e investimeve të kapitalit grek në fusha të ndryshme të ekonomisë.

Zjarr Tv Ad