Në Los Angeles është mbajtur festivali i komedive “Netflix is a Joke”.
Në këtë festival kanë qenë të pranishëm emrat më të njohur të prezantuesve amerikanë të cilët kanë paraqitur projektet e tyre dhe kanë mbajtur fjalime.
Ndër to ishte edhe komedianja e famshme, Michelle Wolf e cila u dallua për fjalimin e saj. Gjatë fjalës producentja dhe prezantuesja kritikoi mënyrën e qeverisjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë viteve, duke përmendur edhe hapsirat e pakta që politika e këtij vend i ka ofruar gjinisë femërore.Kjo pasi Kamila Harris është gruaja e parë zëvendëspresidente e ShBA-ve.
Por, nuk mbaron me kaq. Michelle Wolf e krahasoi këtë situatë të vendit të saj me shtetin e Kosovës. Ajo admiroi faktin që një shtet i shpallur i pavarur vetëm 13 vite më parë, ka pasur dy gra në krye të drejtimit të tij.
“Kosova është e pavarur prej 13 vitesh dhe deri tani kanë patur dy femra presidente”, –u shpreh Wolf.
Ju kujtojmë që në vitin 2011, Atifete Jahjaga ishte gruaja e parë presidente e Kosovës. Ajo qëndroi në krye të këtij institucioni deri në vitin 2016. Ndërsa sërish që prej prillit të vitit të kaluar, Kosova udhëhiqet nga një tjetër grua, Vjosa Osmani.




