Fjalën e tij nga Elbasani, kryeministri Edi Rama e nisi me një koment të shkurtër për bllokimin e rrugës. Sipas tij është e papranueshme që disa ish-deputetë shoqëruar nga disa pijanecë kujtonin se do ta bllokonin të takonte simpatizantët e tij në këtë qytet.
Më pas Rama nuk i ndali komentet dhe batuat për djegien e mandateve të deputetëve të PD-së, ndërsa shënjestër pati kryedemokratin Basha.
“Ne kemi bërë gjithçka kemi mundur që të mos vinte dita që zgjedhjet të bëheshin pa pjesën më të rëndësishme të opozitës, Partia Demokratike dhe pjesa e filxhanit janë pjesa më e rëndësishme e opozitës pavarësisht se gjithë bota i dënoi në 2017, ne donim dhe besuam që ata të futeshin në zgjedhje. Ne i dhamë Lulit gjithçka kërkoi, i dhamë gjysmën e qeverisë. U mësua keq ai, po çfarë është këtu kopesh? Për çfarë na e keni dhënë votën të shkojmë në kopsht të zihemi për lodra dhe ti marrë ai që qan më shumë”,- tha Rama.
Më tej, ai ironizoi ish-deputetin Edmond Spaho dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, sipas tij e vetmja që ka ardhur në Elbasan për të blerë vota.
“E pashë atë profesorin, Spahon se festonin fitoren e Ajaxit sikur kishin mund PS. Festonin për Ajax se unë jam me Juventus, ku qëlloi përkoi edhe me Holandën, e shkruante profesori “sic ta boni Holanda dhe Ajax do ta bëjë edhe Luli”. Ky është profesor a e kuptoni ju? Ajax fitoi me lojë të bukur jo duke djeg gomat. Këtu është vendi me i thonë të gjitha, e kishit fallxhoren deputete ju, por prapë do t’ju vijë, t’ju hapë filxhanin, do ju thotë e keni një rrugë për jashtë shtetit ndaj më votoni mua. Po mirë le ta çojë dorën njoni e të thotë se ka pas frikë që i vinte fallxhorja t’i blinte vota. Ta çojë dorën një nga PD se nuk e ka pas hallin se fallxhorja do ju prishë partinë. Tani u bëtë me fallxhoren bashkë. E keni parë? Thotë e kam parë në filxhan i ndodh Ramës një gjë e keqe, infarkt, spital, Gjermani, atje këtu… për fat të keq unë i dal përpara. A e kuptoni ku ka shkuar muhabeti…”,- vijoi Rama.




