Profil/ Kush është Florjan Binaj, kandidati i mbështetur nga PD dhe nga “Shqipëria Bëhet”për Tiranën

0
213

Florjan Binaj do të kandidojë si kandidat i pavarur për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, ndërsa këtë të hënë mori dhe pëlqimin e Partisë Demokratike.

Ishte vetë kreu i PD-së Sali Berisha i cili në një komunikim për mediat tha se PD mbështet Florjan Binajn por vendimi final do të merret pas diskutimeve me aleatët opozitarë.

Binaj do të përballet në këtë garë me kandidaten e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, ndërsa vendimi për zgjedhjet vjen pas shkarkimit të Erion Veliajt nga detyra.

Kandidimi i Binajt vjen pas shpalljes së tij, nëpërmjet një statusi të dielën e javës së kaluar, si i pavarur.

I njohur për publikun shqiptar përmes karrierës së tij në televizion, ai nuk ka pasur më parë poste publike.

Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000 në një spektakël humori, ku për më shumë se 15 vite ai interpretoi personazhe që u bënë pjesë e kulturës popullore.

Pas largimit nga spektakli i humorit, Binaj nisi një etapë të re si moderator në emisionin investigativ “Piranjat”.

Përveç aktivitetit në media, Binaj është përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në nisma të shoqërisë civile, kryesisht në fushën e mjedisit dhe të drejtave qytetare.

Ai ka marrë pjesë në protesta dhe ka mbajtur qëndrime publike.

Florian Binaj është 40 vjeç, baba i tre fëmijëve.

Zjarr Tv Ad