“Rama ishte poshtë urës, e dinte që do të qëllonin drejt turmës”, Braho flet për 21 Janarin: Serverat s’fshihen dot, SPAK të nisë hetimet menjëherë

0
115

Ish-deputeti socialist, Spartak Braho ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me çështjen e 21 janarit dhe regjistrimeve të reja që kanë dalë në dritë këto ditë.

Braho u shpreh në një intervistë në “News 24” se këto regjistrime janë indicie për thellimin e organit të hetimit për të gjetur prova, teksa shtoi se vetë protesta e 21 janarit dukej sikur ishte e përgatitur për dhunë pasi kishte një grup të pajisur me shkopinj e leva.

Ish-deputeti theksoi se regjistrimet e kryera atë ditë nuk mund të fshihen pasi ka mënyra për nxjerrjen e tyre edhe pas një fshirjeje sipërfaqësore.

“Prova është tjetër, indicia është tjetër. Indicie janë këto përgjime. I japin mundësi organit të hetimit të thellohet nëse janë të vërteta dhe nëse pas tyre ka prova. Unë e përgëzoj Artan Hoxhën dhe gjithë median për jehonën e kësaj ngjarjeje tragjike. Unë kam shumë vërejtje edhe për organizimin e protestës. Duket sikur ishte përgatitur edhe një grup që do ushtronte dhunë, me shkopinj e leva.Saliu tha çadra pistoletë, por dhuna ishte prezente gjithsesi.

Aty është plagosur rëndë një polic, kush e dhunoi atë? Jo tregon se ata protestues përveç se iu përgjigjën thirrjes për protestë ishin të pa instruktuar sepse pranë Ramës kishte një shtab për protestën që lejuan që disa persona të dilnin jashtë kontrollit, tentuan të fusin edhe një automjet atje. Rama duhet të thirrej medoemos në prokurori. Rama nuk shkoi te dera, qëndroi te bishti i urës se i erdhi një informacion që mund të qëllonin drejt turmës, ngaqë është dhe i gjatë e kapnin kollaj, trim i madh nuk është.

Unë mendoj se çështja nga pikëpamja ligjore është e kopsitur, është e goditur edhe nocioni që përdori ministri i drejtësisë Manja, që jemi para një krimi shtetëror. 21 janari është hetuar jo plotësisht. Ato nuk ishin vrasje personale, por ishin vrasje që u bënë nga strukturat e shtetit, kur Manja thotë vrasje shtetërore ka parasysh që ai që duhet të mbajë përgjegjësi është Berisha.

SPAK duhet të fillojë menjëherë hetimet nëse është organ serioz. Se si kanë dalë regjistrimet e di vetëm Artan Hoxha. Ardhja e Dumanit s’ka të bëjë fare me 21 janarin, rëndësi ka që në një moment të caktuar gazetari pati kurajën t’i bënte publike këto regjistrime dhe për këtë e falënderoj. Asnjëherë nuk fshihen regjistrimet në server, ato ekzistojnë diku. Tentoi t’i fshinte Dritan Prifti por kur u ekspertua në Amerikë dolën shumë gjëra. Qeliza bazë aty mbetet, me programe të posaçme ato janë regjistruar diku, mund të fshihen në mënyrë sipërfaqësore, por arrijnë që të mbeten.

Zjarr Tv Ad