Rama mbledh sot Asamblenë e Tiranës, Veliaj nga qelia: Fitoret s’na i dhanë bandat dhe të fortët

Share

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga burgu, pak para nisjes së Asamblesë së PS-së në Tiranë.

Në letrën publike drejtuar socialistëve, Veliaj ka sulmuar Edi Ramën, duke i kujtuar këtij të fundit se si bandat dhe krimi mbajnë sot pushtetin.

“Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës”, shkruan Veliaj, duke rikthyer në vëmendje periudhën e hershme kur, sipas tij, u ndërtua organizata socialiste e kryeqytetit.

Veliaj ngre më tej akuza se PS është kthyer në “hordhi privilegjesh”, ku sipas tij besnikëria e verbër ndaj Ramës vlen më shumë se parimet.

Postimi i plotë i Veliajt:

MESAZH PËR ASAMBLENË E TIRANËS

Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!

Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.

Po a jemi ende ajo parti?

Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?

Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.

Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!

Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.

Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.

Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.

Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,

Miku dhe shoku juaj,

Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj

Read more

Local News