Rasti Balluku/ Shembujt kërkohen në BE, por gjenden në Azi dhe Amerikë Latine

0
0

Debati publik për rastin e Belinda Ballukut ka marrë trajtën e një konkursi në të cilin; kush gjen një shembull “perëndimor” si paralele me të, fiton betejën morale, politike dhe mediatike. Diskutimi u fut në këtë hulli nga kryeministri Edi Rama që hodhi sfidën: “Më gjeni një vend demokratik ku gjykata pezullon ministrin”. Zërat opozitarë iu përgjigjën aty për aty: “Gjej një vend demokratik ku ministri i pandehur nuk ikën vetë”.

Të dyja palët bashkohen në një pikë. Shembujt si “Balluku” duhen kërkuar në vendet e botës demokratike, në perëndim. Merret e mirëqënë sikur çdo problem shqiptar duhet të ketë një analogji italiane, gjermane ose britanike për t’u zgjidhur. Fatkeqësisht, realiteti ynë jep përditë prova se paralelet i ka tjetërkund.

Shembujt si këta tanët nuk kanë qenë aq të ngjashëm me vendet e botës demokratike, sepse atje kultura politike e zgjidh konfliktin para se të shndërrohet në krizë institucionale. Rastet janë të shumta kur ministrat e qeverive të Bashkimit Europian largohen vetë dhe zëvëndësohen sapo i nisin telashet me drejtësinë. Pa qenë nevoja të bllokojnë ministrinë, apo të marrin peng qeverinë për të mbrojtur paratë e fituara me korrupsion.

Prandaj, kur kërkohet ngjashmëri me krizën “Balluku”, duhet hequr dorë nga turizmi imagjinar në demokracitë e konsoliduara. Ja ku janë në lindje të Evropës apo në Azi plot raste se si një prokurori apo gjykatë e guximshme konsiderohet kërcënim, akuzohet se po bën grusht shteti ose neutralizohet, sapo nis përplasja me pushtetin politik.

Vetëm në vendet jodemokratike, një pushtetar i pandehur refuzon dorëheqjen dhe e kundërsulmon gjyqësorin nga pozitat e pushtetit. Vetëm atje ka beteja kundër gjyqësorit që nisin sapo zbulohet një aferë korrupsioni.

Prandaj, demokracitë s’kanë shumë materiale kur kërkohen simotrat e ministreve tona. Ndërsa autokracitë kanë me shumicë.

Turqi, 2013, kur prokurorët prekën kabinetin e Erdogan

Më 17 dhjetor 2013, prokurorët në Stamboll hapën një hetim për korrupsion që përfshinte tre ministra të kabinetit dhe fëmijët e tyre. Mediat turke publikuan foto me çanta të mbushura me para, kasaforta dhe bizhuteri luksi, që u gjetën në shtëpitë e zyrtarëve. Edhe pse provat ishin publike, ata refuzuan dorëheqjen.

Erdogan reagoi me një fjali të njohur: “Kjo nuk është drejtësi, por komplot kundër qeverisë.”

Brenda pak javësh, më shumë se 2.000 policë u shkarkuan, dhjetëra prokurorë u transferuan ose u penalizuan. Mediat raportuan për “pastrim” të gjyqtarëve dhe oficerëve të policisë që ishin angazhuar në hetim: 96 gjyqtarë dhe prokurorë u transferuan papritmas, në operacionin më të madh të këtij lloji që pasoi skandalin.

Vetëm pasi neutralizoi gjyqësorin Erdogan tha: “U kërkova ministrave të japin dorëheqje për të qetësuar situatën”. Të sigurt që nuk do të ndëshkoheshin, ministrat u larguan nga postet e tyre.

Dorëheqja nuk erdhi si përgjegjësi për t’i hapur rrugë gjykimit të ndershëm. Por u krye si sakrificë për të shpëtuar liderin nga njollosja publike.

Ndër emrat e përfshirë ishin:

Zafer Çağlayan, ministër i Ekonomisë/Industrisë & Tregtisë (ose pozicione të ndryshme gjatë kohës), i akuzuar për ryshfet dhe korrupsion në kontrata publike dhe prokurime.

Muammer Güler, ministër i Brendshëm, i përfshirë në hetime për korrupsion dhe abuzime lidhur me koncesione dhe tenderë.

Erdoğan Bayraktar, ministër për Çështje të Banimit dhe Urbanizimit (ose imobiliare/infrastrukturë), gjithashtu i akuzuar për ryshfet dhe favore në tendera

Sri Lanka, Kryegjyqtarja që sfidoi shtetin

Në fund të vitit 2012, Sri Lanka u gjend në qendër të një furtune politike që do të trondiste themelin e shtetit të së drejtës. Në qendër të saj ndodhej Dr. Shirani Bandaranayake, kryegjyqtarja e parë femër në historinë e vendit, akademike e respektuar dhe simbol i pavarësisë institucionale.

Konflikti nisi kur Gjykata Supreme, nën drejtimin e saj, shqyrtoi disa vendime dhe kontrata fiskale të qeverisë që kritikohej për korrupsion në përdorimin e fondeve publike. Në mënyrë të veçantë, gjyqtarët hodhën dyshime mbi një projekt-ligj të qeverisë që parashikonte ralokim fondesh pa mbikëqyrje parlamentare, një mekanizëm që e përkufizuan si “portë të hapur drejt korrupsionit sistemik”.

Anëtarët e qeverisë në Sri Lanka refuzuan dorëheqjen. Në vend se t’i hapnin rrugë gjykimit, ata e akuzuan kryegjyqtaren për “abuzim me detyrën” dhe duke nisur procesin e shkarkimit përmes parlamentit. I gjithë procesi u zhvillua me shpejtësi të jashtëzakonshme, me akuzat e ngritura kundër saj që ndryshonin vazhdimisht, dhe pa garanci elementare të një procesi të rregullt.

Reagimi ndërkombëtar ishte i ashpër. Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve deklaroi publikisht: “Është një goditje e rëndë ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe një shkelje serioze e sundimit të ligjit.” (International Commission of Jurists, 15 Janar 2013)

Edhe Gjykata e Apelit e vendit e cilësoi procedurën e shkarkimit si të paligjshme, duke deklaruar: “proces i zhvilluar në shkelje të rregullave bazë të drejtësisë së natyrshme”.

Megjithatë, parlamenti dhe ekzekutivi e shkarkuan Bandaranayake-n në janar 2013. Ajo u zëvendësua brenda 24 orësh.

Ecuador, 2004–2005, kur presidenti shkarkoi të gjithë gjykatën për të mbyllur hetimet

Në Ekuador, në vitet 2004–2005 ndodhi një përplasje flagrante e ndërhyrjes politike kundër gjyqësorit. 

Në vitin 2004, Gjykata Supreme hapi procedura penale kundër politikanëve të lartë të qeverisë dhe ish-presidentëve, për vepra që përfshinin korrupsion dhe abuzim me detyrën. Hetimet u konsideruan si kërcënim direkt për elitën politike, e cila prej vitesh kishte kontrolluar sistemin e tenderëve dhe privatizimeve.

Presidenti Lucio Gutiérrez, një oficer ushtarak i kthyer në politikan populist, e pa këtë veprim si shpallje lufte. Në vend të dorëheqjes, ai zgjodhi të sulmonte vetë institucionin që po hetonte.

Në dhjetor 2004 dhe mars 2005, Gutiérrez përdori aleancën politike të tij në parlament për të shkarkuar të gjithë anëtarët e Gjykatës Supreme dhe për t’i zëvendësuar ata me individë të afërt politikisht. I gjithë procesi u justifikua si “reformë gjyqësore”.

Në fjalimin e tij para kongresit, presidenti tha: “Ne nuk mund të lejojmë që gjykatat të pengojnë stabilitetin e vendit.” (BBC Neës, Prill 2005)

Pas këtij akti, hetimet u mbyllën, dosjet u pushuan, dhe gjyqtarët e rinj u sollën si instrumente të partisë. Në vend të reformës, ndodhi kapja totale e gjyqësorit.

Më vonë kriza politike shpërtheu. Protestat masive u shndërruan në revoltë. Presidenti u detyrua të arratisej me helikopter nga pallati presidencial dhe më vonë u rrëzua.

Megjithatë, dëmi institucional ishte bërë. Ekuadori kuptoi se është më e lehtë të rrëzosh presidentin, sesa të ndërtosh një sistem gjyqësor të pavarur.

Pakistan 2007, beteja e Musharaf me gjykatat

Në mars 2007, presidenti dhe gjenerali Pervez Musharraf pezulloi kryetarin e Gjykatës Supreme, Iftikhar Muhammad Chaudhry, me akuzën e “keqpërdorimit të detyrës”.

Përplasja, sipas Human Rights ëatch erdhi pasi Chaudhry “refuzoi të tërhiqej nga çështjet që cenonin interesat e qeverisë”.

Chaudhry refuzoi të jepte dorëheqje, duke deklaruar se “jam shkarkuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk do të tërhiqem”.

Protestat e avokatëve në Lahore, Karachi dhe Islamabad u përballën me dhunë policore, mijëra u arrestuan. Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga Musharraf u cilësua nga organizatat ndërkombëtare si tentativë e hapur për “të shkatërruar institucionet demokratike”.

Në korrik 2007, Gjykata Supreme rrëzoi vendimin presidencial dhe e riktheu Chaudhry-n në detyrë. Rezultati? Musharraf ra një vit më vonë, ndërsa gjyqësori u shndërrua në simbol të rezistencës civile.

Ky i Pakistanit i shtohet rasteve se në autokraci, kultura e dorëheqjes nuk ekziston. Nëse një ministër, gjeneral apo president përballet me drejtësinë, presioni drejtohet ndaj gjyqësorit, jo ndaj të korruptuarve.

Përplasja shqiptare me gjyqësorin për Belinda Ballukun

Është herët për të folur për një përplasje ballore mes qeverisë së Edi Ramës me prokurorët e SPAK apo gjykatësit e GJKKO. Gjyqësori jonë nuk e ka prekur në asnjë dosje kryeministrin. Për të, personalisht nuk ka asnjë të dhënë zyrtare që është nën hetim apo se rrezikon të përfshihet në një dosje me akuza konkrete. Rama është i paprekshëm nga drejtësia.

Por refuzimi për ta shkarkuar Belinda Ballukun, e ka pozicionuar kundër prokurorit të SPAK dhe gjykatësit të GJKKO. Qeveria ka shmangur sulmet e drejtpërdrejta ndaj sistemit gjyqësor, por është e qartë se këto janë përpjekjet e para për t’i vënë gjyqësorit një kufi, një vijë të kuqe në hetimet kundër korrupsionit nuk duhet ta kapërcejnë. Dhe ky kufi është tek Edi Rama. 

Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë kundër pezullimit të Ballukut, krueministri do të kishte një garanci më shumë, se mbetet i paprekshëm.

Por ky refuzim për t’i hapur rrugë një hetimi të ndershëm ka edhe anën tjetër në raport me Bashkimin Europian.

Me refuzimin për ta zëvëndësuar Belinda Ballukun nga qeveria, po jepet një provë e fortë se koncepti për integrimin në Bashkimin Europian është ai për një proces mekanik “harmonizimi ligjesh”, një objektiv që mund të arrihet me një grup pune në qeveri.

Në fakt, ajo që mungon është kultura politike perëndimore, që përfshin akte si dorëheqja, llogaridhënia dhe respekti për gjyqësorin. Për sa kohë kjo refuzohet, paralelizmat për rastin Balluku janë më të lehta për t’u gjendur në autokracitë e Azisë apo të Amerikës Latine dhe jo në vendet e Bashkimit Europian./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad