I ftuar në Edicionin e Pasites në SYRI TV me Armela Ferkon, eksperti i bujqësisë Ervin Resulaj ka folur për situatën e bujqësisë dhe blegtorisë në vend, të cilat ndodhen në ditët e tyre më të këqija.
Sipas ekspertit Resulaj, situata në bujqësi dhe blegtori ka probleme dhe po shkon drejt degradimit dhe se Ministria e Bujqësisë është në kuadrin e reklamës dhe nuk po i gjendet bujkut dhe fermerit në ditën e tyre më të keqe.
Resulaj ka theksuar gjithashtu se fermerët e kanë më të lehtë të shkojnë në Greqi dhe të punojnë për 30 euro dita se sa të hyjnë në borxhe duke punuar tokën e tyre, ku ka pasur edhe fatkeqësi pasi kanë vrarë edhe veten për shkak të borxheve.
Resulaj: Situata është një situatë ku grupet e interest prej vitesh kanë ngritur alarmin se situata në bujqësi dhe blegtori ka probleme dhe po shkon drejt degradimit. Ndër vite fermerët janë gjendur në rrugë për problematika të ndryshme dhe ato janë mbartur nga viti në vit dhe vështirësojnë punën e fermerëve dhe blegtorëve. Ne jemi në kuadrin e një reklame nga Ministria e Bujqsisë dhe sidomos po të marim parasysh se ky vit që lamë pas hynë te vitet e krizës ku ministria duhet të ishte më afër fermerëve.
Edhe paketa që prezantoi kryeministri ishte që për fermerët ishte një shtesë prej 500 milionë lëkë naftë që pothuajse ishte një flluskë sapuni që nuk ndikon aspak në rritjen e sipërfaqeve të punueshme, të rendimentit apo prodhimit. U bë më shumë se një vit se plerat për tokën, drithërat dhe inputet kanë pësuar një rritje nga dy në tre fish të çmimeve që kanë qënë një vit më parë.
Puna e fermerit ka shkuar në kufijtë e të pamundurës. Fermerët e kanë më mirë të punojnë me 30 euro dita në Greqi se sa të futen në borxhe duke punuar tokën e tyre apo edhe më keq kur kemi pasur raste fatkeqësi ku fermerët i kanë dhënë fund jetës për shkak të borxheve të akumuluara.




