Rruga 260 milion euro Qukës–Qafë Plloçë shembet nga shiu i parë

0
0

Rruga Qukës–Qafë Plloçë, një ndër projektet më të gjata, më të kushtueshme dhe më të stërzgjatura të infrastrukturës shqiptare, është shembur vetëm nga një shi i parë i vjeshtës.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë degradimin e shpejtë të një vepre që sapo ishte inauguruar, masa gjigande shkëmbore të rrëzuara mbi asfalt, barriera të shtrembëruara si fletë kartoni dhe një segment i tërë, i shkatërruar brenda pak sekondash.

Shkëmbinjtë kanë çarë murin mbajtës në disa pika, ndërsa asfalti është dëmtuar. Për pasojë një mur guri me peshë mbi dhjetëra tonë ka rënë mu në mes të karrexhatës, duke e bërë qarkullimin të pamundur. Është e dukshme se shembja ka ndodhur në një pikë ku është bërë gërmim i thellë në trup të malit, pa konsolidimin e duhur të shtresave.

Për shembjen, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka larë duart me një njoftimku fajëson “Reshjet e dendura të shiut… që kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35.” Me fjalë të tjera, rënia e masivit shkëmbor është konsideruar thjesht pasojë e motit, edhe pse aksi ka kushtuar qindra milionë euro dhe është projektuar për terren malor.

ARRSH kërkoi nga qytetarët “të ulin shpejtësinë” dhe njoftoi se “po krijohet një bypass i përkohshëm”. Megjithatë disa pyetja për këtë rast janë të pashmangshme: Si mund të shembet një rrugë me koston e një autostrade alpine vetëm dy muaj pas inaugurimit?

Projekti i rrugës Qukës–Qafë Plloçë lindi si premtim elektoral në 2009, me një kosto fillestare të parashikuar deri në 90 milionë euro. Më pas, realiteti u bë shumë më i shtrenjtë. Rruga është shtrirë në 43.4 kilometra terren malor, ndaj qeveritë radhazi u përballën me vështirësi, me ngecje, me shpallje fondesh të reja dhe marrëveshje të ndryshme financiare me bankat islamike dhe fondet saudite.

Kjo odise u zgjat 16 vjet. Nga 38 dhe 63 milionë dollarë të lotit të parë dhe të dytë, kostoja gati u dyfishua: 74 milionë për lotin e parë dhe 95 milionë për të dytin. Loti i tretë, i paplanifikuar në projektin fillestar, solli nevojën për kredi tjetër.

Totali shkoi mbi 235 milionë dollarë nga financimet e huaja. Deputetë të opozitës kanë thënë se në total shifra i afrohet 260 milionë eurove. Në këtë pikë, paratë e taksave kalojnë në një nivel shpërdorimi të frikshëm.

260 milionë euro për 43.4 km rrugë do të thotë rreth 6 milionë euro për kilometër.

Zjarr Tv Ad