Deputeti Saimir Korreshi reagon për fotot e publikuara sot nga newsbomb.al, ku ai shfaqej krah kandidatit të Sali Berishës në Lushnje, Elton Bano. Fotot u dërguan në redaksinë e newsbomb.al nga një mbështetës i Berishës dhe synonin denigrimin e deputetit dhe Elton Banos.
Korreshi thotë se fotot janë të vitit 2021. Mirëpo, këto foto janë marrë nga mediat pranë Sali Berishës dhe “po shiten” si aktuale, edhe pse newsbomb.al ka bërë verifikimet e veta dhe ka provuar se ato janë shkrepur në 31 mars 2021, duke qëndruar korrekt në raportim.
Shënimi i plotë i deputetit Korreshi:
Sqarim i detyruar për demokratët e Lushnjes. Lajmi më poshtë është i pavërtetë! Fotot e shfaqura në lajm janë të fushatës së Partisë Demokratike në vitin 2021. Asnjë keqinformim nuk mund ti përçajë demokratët. Për të fituar duhet të jemi të gjithë bashkë.
Si deputet dhe Kryetar i Partisë Demokratike Dega Lushnje, dua të sqaroj demokratët e Lushnjes, që nga dita e parë jam angazhuar në fushatë për fitoren e Partisë Demokratike dhe kandidatit të PD për Bashkinë Lushnje z.Indrit Sefa. PD ka nderuar Lushnjen dhe qytetarët lushnjar duke pranuar propozimin e Degës Lushnje dhe duke kandiduar një djalë lushnjar, që vjen nga një familje patriotike lushnjare, e cila ka dhënë kontributin e saj në momentet më të rëndësishme të formimit të shtetit shqiptar.
Ftoj çdo demokratë që don fitoren e Partisë Demokratike të mendojë për Lushnjen, të mendojë për demokratët, të kontribuojë që bashkia ti kthehet qytetarëve. Bashkë fitojmë dhe i kthejmë dinjitetin Lushnjes.






