Një 54-vjeçar ka humbur jetën pasi u morr nga rrjedhja e ujit.
Astrit Hysenaj, 54-vjeç, është personi i cili humbi jetën si pasojë e përmbytjeve në qytetin e Durrësit.
Sipas Policisë, 54-vjeçari është gjetur pa shenja jete, në zonën e Plepave, teksa një ditë më parë ishte shpallur i zhdukur nga familjarët e tij.
Ai punonte pranë ndërmarrjes komunale dhe dyshohet se ka humbur jetën në krye të detyrës.
Sipas raportimeve, Hysenaj, kishte shkuar të monitoronte situatën nga përmbytjet dhe dyshohet se e ka marrë rrjedha e ujit me vete.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për largimin nga banesa të shtetasit A. H., 54 vjeç, informojmë se pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e Reneas, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit, në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit”,– thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet kanë shpallur evakuim të menjëhershëm për banorët e Bashkisë Durrës, konkretisht në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, për shkak të situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve vendore të emergjencave, ndërsa evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave civile.
Për shkak të përmbytjeve dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Njësisë Administrative Novoselë, në Bashkinë Vlorë.
Pak më herët 13 familje janë evakuuar dhe rreth 200 krerë bagëti, ndërsa banorëve iu dha sinjali i alarmit për të qëndruar në gatishmëri.
Situata mbetet e vështirë, kryesisht edhe për dy fshatrat: Bishan dhe Fitore. Niveli pritet të rritet edhe më tej, pasi prurjet vijojnë.




