Njësoj si kryeministri Edi Rama, pak ditë më parë nga foltorja e Kuvendit, edhe kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla përjashtoi çdo mundësi negociimi me Sali Berishës për zgjedhjen e presidentit të ri.
Balla shkoi edhe më tej duke thënë se nuk e njihte Komisionin e Rithemelimit, që sipas tij duhet të shndërrohet në grup parlamentar, që të mund të ketë të drejtë në përfshirjene për diskutimet e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
“Sali Berisha nuk ekziston, as si grup parlamentar, dhe po jua them që me Sali Berishën, as nuk ka dhe as nuk do të ketë ndonjëherë negociata për asgjë. Për ne Sali Berisha nuk ekziston, ajo që unë di është që në Kuvend rezultojnë të depozituara si grupe parlamentare, PD me drejtues Enkelejd Alibeajn, dhe dy grupet e tjera që drejtohen nga zoti Fatmir Mediu dhe Mesila Doda.
Natyrshëm që gjatë këtij procesi PS do të zbatojë vendimmarrje që vijnë edhe nga kryesia e partisë, por kjo mund të bëhet vetëm përmes grupit parlamentar. Kryeministri Edi Rama ka qenë shumë i qartë, kur ka thënë se me Sali Berishën as ka dhe as nuk do të ketë negociata. Unë nuk njoh një grup me këtë… si e kishte emrin? Faleminderit!”, u shpreh Balla.




