Albana Deda, pedagoge në Departamentin e Gjuhësisë, në një lidhje Skype për “Fax News” sot foli mbi kërkesat që stafi akademik ka ndaj qeverisë, duke theksuar se ato janë minimale duke marrë parasysh vlerësimin që i bëhet arsimit në vendet e tjera të Ballkanit.
Deda theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te pagat e ulëta por edhe mungesa e kushteve në godinat ku arsimohen studentët, nisur nga sallat e leksioneve e deri te tualetet. Ajo tha ndër të tjera se dalja në rrugë e intelektualëve është një tregues i patologjive të mëdha që shoqëria shqiptare mbart.
“Ne nuk kërkojmë reformim vetëm për vete, nuk është vetëm rritja e pagës, ajo është kërkesë minimale, kryesorja ka të bëjë me rimëkëmbjen e arsimit. Unë mendoj se përgjigjia kryesore do të shihet në vazhdim, kjo lloj mbështetje natyrisht do shihet dhe në numra, duhet parë me shumë vëmendje jo me arrogancë nga kjo qeveri. Kur nxirren në rrugë intelektualët do të thotë se kjo shoqëri vuan nga patologji të theksuara.
Peticioni është online, kemi vite që kërkojmë rritje të buxhetit për arsimin e lartë, është kërkuar një rritje deri në 4% minimalisht sa vendet e Ballkanit dhe pse realisht nuk krahasohemi me to. Kam 25 vite pedagoge dhe s’kam zyrë të punoj, bibliotekat nuk janë rinovuar, s’ka salla leksioni dhe seminari. E kuptoni absurditetin? Ne nuk mund të shkojmë atje dhe të japim dije kur s’kemi kushte, këta bëjnë sikur s’dëgjojnë. Kërkesat tona nuk janë një luks sot, janë gjërat më minimale.
Kemi shkuar në punë, kemi bërë mësim orar pa orar dhe kemi lexuar në krevat, si të konkurrojmë ne me universitetet e botës? Të sqarojmë një fakt, bën demagogji kur thotë 15%, është vetëm 7%, kur as banjot s’kanë elementët e nevojshëm ku do i gjejnë lekët për financime të tjera? I kemi të gjitha argumentet bindëse për të thënë se kjo nuk është situatë normale, arma jonë është dija, protesta, fjala”-u shpreh Deda.




