Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratave të Ministres së Financave, Delinda Ibrahimaj, e cila sot pranoi se 34 kompani kanë kryer evazion fiskal, dhe se ndaj tyre nuk është marrë masë për bllokimin e llogarive.
Kryemadhi i ka drejtuar disa pyetje Ibrahimajt nëse ajo apo Tatimet kanë ushtruar ndonjëherë kontroll në magazinat e këtyre kompanive, të cilat nuk kanë as mall dhe as persona të punuar!
Sipas Kryemadhit, ndaj biznesit të ndershëm Drejtoria e Tatimeve vërshon herë pas herë për t’i kontrolluar gjendjen në magazina, ndërkohë që për firmat fiktive të përfshira në skandalin e Inceneratorëve s’ka patur kontrolle.
“Dëgjova deklaratën e ministres së Financave që pranoi haptaz se ekziston evazioni fiskal i këtyre kompanive. Më vjen mirë që ka një reagim pas kaq kohësh por jam e bindur se në deklaratën e saj ka shumë luhatje. I kërkoj ministres të bëjë transparente çfarë investimi është bërë në inceneratorin e Tiranës deri më sot.
Ajo që unë kërkoj është kushti i investimit të 128 milionë eurove nga koncensionari i inceneratorit të Tiranës me të vetmin kusht shërbimin që do i ofronte Bashkia duke depozituar mbetjet me 29 euro tonin, nuk është i realizuar.
Nëse jo a mund të thotë Ministrja e Financave sa ka paguar deri tani dhe këtij 40.7 milionë euro që janë paguar nga buxheti i shtetit për çfarë kanë shërbyer?
I bëj një pyetje ministres: A i keni kontrolluar magazinat e këtyre kompanive? Se kjo është detyrë e Tatimeve. Mjafton të pyesni bizneset e ndershme shqiptare të cilët në dyer kanë çdo javë hetimin tatimor që u kontrollon magazinat e tyre nga uji, kripa, sheqeri, vaji, metër kub çimento, por në këto kompani hetimit tatimor në kaq vite nuk ka zbarkuar asnjëherë se të paktën do kishim një vendim për t’i denoncuar në Prokurori.
A e dinit qe Klodian Zoto ka qene nënkontrata e ka kryer evazion fiskal ne vlerën 25 milion dollare?”, tha Kryemadhi.




