Sot dy javë nga bojkoti i procesit mësimor, si do përshkallëzohet protesta e pedagogëve! Pritet vendimi për vijimin e rezistencës

0
40

Qëndresa e pedagogëve për arsim cilësor hyn në javën e tretë intensive.

Ajo nis sot me protestë kombëtare, por të gjitha gjasat flasin për një përshkallëzim të saj gjatë ditëve në vijim, nëse qeveria vijon të bëjë “shurdhen”. Janë pedagogët, pjesë e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, ata që lajmëruan në fund të javës që shkoi iniciativën për t’u ngujuar. Vendimi për vijimin e rezistencës së pedagogëve pritet të merret sot nga sheshi para Universitetit Politeknik.

Janë me dhjetëra pedagogët, të cilët kanë firmosur peticionin drejtuar qeverisë e ministrisë së arsimit me nëntë kërkesa konkrete (të listuara në tabelën përbri) dhe që rrugës janë tërhequr pas presioneve e intimidimeve të hapura e indirekte që iu janë bërë gjatë kësaj kohe. Ndonëse kauza u shërben në fund të fundit edhe atyre, sindikata u bëri thirrje atyre që janë me emër, mbiemër e firmë në peticionin e 30 gushtit, të stopojnë mësimin qoftë vetëm për një orë në protestën e sotme kombëtare. Në thirrjen publike, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve (SPASH) iu bën thirrje të gjithë pedagogëve, në kryeqytet e rrethe të dalin në mbështetje të tyre dhe situatës alarmante në të cilën ndodhet sot arsimi në vend.

“Përshëndetje të nderuar pedagogë, ditën e hënë, datë 31.10.2022, ora 11:00. Para Korpusit qendror të UPT, Protestë kombëtare e pedagogëve organizuar nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve!! Lutemi për mbështetje maksimale nga të gjithë pedagogët, të të gjitha universiteteve. Është e nevojshme prania e përfaqësive të çdo universiteti jo vetëm nga Tirana, por edhe të degëve. Protesta e së hënës është shumë e rëndësishme”, shkruhet në apelin e sindikatës për t’u bashkuar në protestë.

Pas Ministrisë së Arsimit e qeverisë, ata u kanë nisur një letër institucioneve më të larta shtetërore dhe ambasadave të huaja në vend që financojnë disa projekte në Shqipëri, ku i vënë në dijeni për alarmin ku ndodhet arsimi i lartë dhe lutjen për të “vënë dorë”. Në dy javët e bojkotit të auditorëve nga një pjesë e mirë e pedagogëve në Universitetin e Tiranës, Bujqësorit dhe Politeknikut, por edhe në qytetet e Vlorës, Shkodrës e Gjirokastrës është arritur vetëm një shtesë në pagë në vlerën e 7% nga ana e qeverisë.

Ndërsa një 8 për qindësh u është lënë në dorë të universiteteve. Nga dhjetëra IAL, vetëm ai i Mjekësisë e ka bërë fakt të kryer duke marrë vendim javën që shkoi, Universiteti i Tiranës premton, ndërsa të tjerët nuk kanë bërë asnjë lëvizje. Sidoqoftë, edhe kjo masë e papërfillshme është refuzuar nga pedagogët, të cilët janë të mendimit që paratë e universitetit, të cilat gjenerohen kryesisht nga tarifat e studentëve duhet të kthehen në favor të tyre dhe jo për pagat e profesoratit e personelit ndihmës. Një tjetër ankesë, ende jo në rrugë zyrtare, është fakti se në shtesën e qeverisë është lënë jashtë personeli ndihmës akademik dhe administrativ, që trajtohet me paga edhe më të ulëta se pedagogët.

Zjarr Tv Ad