Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot në orën 09:00, në sallën e seancave plenare, rreth një orë para nisjes së seancës së Kuvendit.
Në qendër të diskutimeve mësohet të jetë reforma administrativo-territoriale, për të cilën socialistët synojnë të votojnë sot draftin që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Për miratimin e reformës nevojiten 84 vota në Kuvend. Drafti ka hasur edhe kundërshtime brenda grupit socialist, pasi deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë shprehur rezerva dhe kanë votuar kundër draftit në mbledhjen e mëparshme të grupit.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Seanca plenare është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa reforma territoriale është pika e shtatë e rendit të ditës.






