SPAK godet grupin Rraja, 6 të arrestuar, mes tyre edhe djali i ish-deputetit socialist

0
0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka urdhëruar mëngjesin e kësaj të mërkure, më 10 dhjetor, një operacion të gjerë në Nikël, Fushë-Krujë, kundër grupit kriminal të njohur si “Rraja”.

Operacioni është duke vijuar dhe përfshin kontrolle në banesa të ndryshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe vjen pas hetimeve të gjata duke synuar goditjen e një prej grupeve më të njohura kriminale në zonën e Fushë-Krujës.

Autoritetet kanë lëshuar urdhër-arreste për disa persona, përfshirë Rexhep Rrajën, djalin e një ish-deputeti socialist, Rrahman Rraja i cili është vënë në pranga.

Emrat e personave të arrestuar:

1-Marvin Genci Bushati

2-Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani

3-Sokol Myslym Qaja

4-Gazmir Xhemali Rraja

5-Perparim Kadri Rraja

6-Rexhep Xhelal Rraja.

Ky operacion po drejtohet nga prokurori Adnan Xholi me synimin për të goditur grupin e strukturuar të trafikut të lëndëve narkotike, që u “tradhtua” nga bisedat që kishin bërë në aplikacionin e inkriptuar të bisedave “SkyECC“, pas zbërthimit të tij.

Grupi “Rraja” ka qenë në fokus të institucioneve prej vitesh, për dyshime lidhur me aktivitete të ndryshme kriminale. Sipas burimeve, personat e përfshirë dyshohet të jenë të përfshirë në trafik droge dhe operacioni i sotëm synon goditjen e të gjitha hallkave të aktivitetit të tyre kriminal. Kontrolli i banesave dhe procedurat e tjera janë ende në zhvillim dhe pritet të përfundojë gjatë ditës.

Zjarr Tv Ad