Përdorimi i simboleve të komunizmit nga qytetarë apo zyrtarë të shtetit, për studiuesen e Institutit të Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, Sonila Boçi, duhet të jetë kambanë alarmi.
“Ka nevojë për marrjen e masave të menjëhershme nga të gjithë aktorët që merren me krijimin e kujtesës për periudhën e diktaturës komuniste”, tha Boçi në një intervistë për Euronews Albania.
Kjo është pasojë e mungesës së një procesi serioz lustracioni në 30 vjet, e nxitur edhe nga qëndrime të paqarta të politikës.
“Ne duhet t’i tregojmë brezit të ri çfarë ishte ajo kohë. Ishte një sistem që të mësonte ku të banoje, ku të punoje, si të visheshe dhe në fund edhe sa dhe si të haje. Pra, liria e individit ishte zero. Këtë duhet t’ia u themi me forcë shqiptarëve, që të kuptojnë përparësitë që sistemi i demokracisë liberale ofron krahasimisht me sistemin totalitar,” u shpreh Boçi.
“Nëse duhen module ekstra në shkolla për periudhën e komunizmit atëherë duhet të insistojmë që kjo të bëhet. Por shkolla është vetëm një anë e çështjes. E gjithë shoqëria duhet të jetë më e sensibilizuar për procesin e dekomunistizimit,” u shpreh studiuesja.




