Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, në 6-vjetorin e tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019 ka denoncuar faktin që ende ka familje të cilat janë pa shtëpitë e tyre të shkatërruara nga lëkundjet sizmike.
Në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet e Brendshme Kapri ka ngritur shqetësimin përballë kreut të Emergjencave Civile, Haki Çako duke sjellë raste konkrete të denoncimit të qytetarëve që ende pas 6 vitesh janë rrugëve dhe presin nga shteti shtëpitë e rindërtuara.
“Tani njerëzit na ndjekin zoti kryetar dhe është një vajzë që quhet Eva dhe thotë: “Kam 6 vjet me qira dhe pres banesën nga tërmeti”.
6 vjet! O ka qenë emergjencë tërmeti në këtë vend o s’ka qenë gjë tjetër.
Njerëzit janë rrugëve akoma, janë rrugëve në Durrës, në Tiranë, kudo! Ka kaluar 6 vjet!”, u shpreh Kapri.
Sipas deputetit të partisë Mundësia, pas tërmetit u mblodhën mbi 1.15 miliardë euro fonde në Bruksel, qindra milionë u dhanë nga Bashkimi Europian por këto para nuk dihet ku kanë shkuar pasi e vërteta është se qytetarët ende po kërkojnë banesat e shkatërruara nga kjo fatkeqësi natyrore.
“6 vite nga tërmeti që mori jetë, la mijëra familje pa çati dhe ende ka njerëz që janë rrugëve. Në Bruksel u mblodhën mbi 1.15 miliardë euro fonde, shqiptarët anë e mbanë botës dhuruan me e-albania, Bashkimi Europian dha qindra milionë, u ngrit dhe një ministri e dedikuar Rindërtimi.
Ku shkuan paratë? Si ka mundësi që 6 vite më pas, ka ende familje pa shtëpi?”, thekson deputeti Kapri.




