Ish-drejtori i RTSH Thoma Gëllçi, ka dëshmuar sot për herë të para para prokurorëve specialë të SPAK. Organi i akuzës e akuzon Gëllçin për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për shkak të shkeljes së barazisë në tendera.
Ai ka dhënë dëshmitë dhe versionin e tij për akuzat e ngritura, ndërsa më herët ka kërkuar dhe lirinë përmes ankimimeve në Apelin e Posaçëm, por këto kërkesa nuk janë marrë parasysh.
Me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme, ish-drejtori i RTSH mbahet në ambientet e paraburgimit prej muajsh. Referuar njoftimit zyrtar për arrestimin, Thoma Gëllçi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke hapur tender për kanalin RTSH Agro, para se të merrte miratimin e AMA-s.
Tenderi për blerjeve të pajisjeve të kanalit RTSH Agro është shpallur në nëntor të vitit 2018 dhe kishte një vlerë limit prej 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh). Së bashku me Gëllçin në pranga ranë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Ervin Muraj, Alban Malaveci dhe Julian Tapia.
Në tenderin për blerjen e pajisjeve si kamera dhe tjera, kanë qenë dy kompani EURO Contact dhe TBS 96. Anëtarët e KVO kanë shpallur TBS 96 fituese edhe pse kishte ofertë 20 mln më të lartë. Të dyja këto kompani u bë e ditur më herët që kishin mangësi në dokumentacionet për marrjen pjesë në tender.




