Flakët kanë përpirë shtëpi, pemë e pasuritë e një jete për shumë banorë të Gramshit, por dy zyrtarë lokalë kanë gjetur kohë për të bërë nga një pozë me flakët pas krahëve.
Besmira Qose, Drejtoreshë e Shëndetit Publik, dhe Albert Ceci, Nënprefekt i zonës, shihen në foto pranë tymit e flakëve, si dy turistë të rastësishëm që kanë ndaluar të buzëqeshur, ndërsa në sfond konsumohet tragjedia për banorët e fshatrave të Gramshit.
Në rrjete sociale, reagimet nuk kanë munguar. “Këto pamje janë të papranueshme. Njerëzit këtu kanë humbur gjithçka. Ndërkohë, përfaqësuesit e shtetit po sillen sikur kjo është një shëtitje apo sesion fotosh,” ka shkruar denoncuesi që publikoi fotot, duke sintetizuar me një fjali ndjenjën e shumicës: “Vendi digjet, shteti krihet.”




