Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka bërë me dije se shumë shpejt do të fillojë digjitalizimi i arkivës 13-vjeçare të Shërbimit të Provës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manja shton se nuk mund të pretendohet një shërbim modern për qytetarët, me metoda të vjetra.
“Shumë shpejt do të nisim digjitalizimin e arkivës 13 vjeçare të Shërbimit të Provës! Nuk mund të pretendojmë shërbim modern për qytetarin, me metoda të shekullit të kaluar!”, shkruan ai.
Më herët, pa përfundimit të Mbledhjes se Qeverisë, Manja tha se në dikasterin që ai drejton, ishin marrë tre vendime. E para kishte të bënte për miratimin e nivelit të pagave në rrjetin e koordinatorëve të njësisë anti-korrupsion. E dyta me ndryshimet në rregulloren e burgjeve dhe e treta me vendosjen e një standardi të ri për përkthyesit.
“Vendimi i parë ka të bëjë me njësinë antikorrupsion. Është miratuar niveli i pagave për rrjetin e koordinatorëve antikorrupsion. Kjo është një shprehje e vullnetit të qartë e qeverisë për të goditur korrupsionin. Vendimi i 2, ka të bëjë me miratimin e rregullores së burgjeve.
Sot më në fund kemi në fuqi një rregullore të re për burgjet i cili është dokument i rëndësishëm që garanton funksionimin e burgjeve, në përputhje me dokumentet kombëtare e ndërkombëtare. Po ashtu në rregullore kanë gjetur vendin edhe rekomandimin e organizatave ndërkombëtare, si dhe avokati i popullit. Është një rregullore bashkëkohore që e afron Shqipërinë ne BE, edhe në trajtimin e paraburgosurve. Vendimi i 3 ka të bëjë me procedurën për përkthyesit zyrtarë. Është një standard i ri, sidomos kur ka të bëjë me takime zyrtare. I njëjti trajtim dhe mbrojte siç marrim për magjistratët”, tha Manja.




